Dhuna e policisë së Malit të Zi ndaj Petraq Milos, pezullohet nga detyra zv.drejtori i Kufirit

Ndëshkohet autori i dhunimit të Kryetarit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Partinë e Lirisë, Petraq Milo.

Burime të pakonfirmuara pranë policisë dhe autoriteteve administrative në Malin e Zi, thanë për Panorama se bëhet fjalë për zëvendësdrejtorin në Sektorin e Policisë Kufitare malazeze, Dragan Klikoovac.

Ky i fundit është pezulluar nga detyra, pas incidentit të rëndë që është shënuar pak ditë më parë në kufirin e Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Kujtojmë që Milo ka qenë së bashku me familjen e tij kur është nxjerrë me forcë nga makina dhe është dhunuar nga një efektiv malazez, ndërsa priste në radhë në kufi.

Në mediat sociale janë publikuar edhe disa video, në të cilat shihet momenti kur anëtari i Kryesisë së Partisë së Lirisë nxirret nga makina me forcë dhe dhunohet, ndërsa po ashtu është dhunuar edhe djali i tij.