Driloni në rrezik/ Kapri: Po minohet në favor të qëllimeve klienteliste
Zëri i Amerikës dhe rrjeti investigativ BIRN kanë ngritur shqetësimin se Parku Kombëtar Drilonit në Pogradec-Tushemisht buzë liqenit të Ohrit, një zonë e mbrojtur nga UNESCO, rrezikon të dëmtohet nga një plan zhvillimor i qeverisë shqiptare për ndërtimin e strukturave turistike.
Sipas BIRN dhe Zërit të Amerikës, një plan zhvillimi i qeverisë shqiptare për zonën e rëndësisë kombëtare Drilon-Tushemisht buzë liqenit të Ohrit ngre dyshime se fsheh interesa private ndërtimi, të cilat bien ndesh me rekomandimet e UNESCO-s.
Kryetar i PD në Pogradec Gentjan Çela dhe Erald Kapri ishin të ftuar në 'Kafe Shqeto' në Syri Tv.
Çela u shpreh ndër të tjera se nëse do të vazhdohet të ndërtohet në pistat e Drilonit dhe Tushemishtit rrezikojmë daljen nga UNESCO.
“Problem madhor për këtë qytet dhe për një nga oazet më të bukura që ka ky vend, thelbi është tek shndërrimi i balancës mjedis-ndërtim. Pra, këta duan ta kthejnë gjithçka në beton në ndërtim dhe sigurisht që dhe tek balanca publik-privat por jo tek privati si zhvillim i biznesit lokal , por si një zgjatim oligarkie që vjen nga qeverisja qendrore.
Shqetësimi kryesor i ekspertëve dhe urbanistëve është shkatërrimi i habitatit natyror që Driloni ka, në fakt e vërtetë është se UNESCO, përfshin Linin, Drilonin dhe Tushemishtin, pra përjashtohet zona e qytetit të Pogradecit për shkak të ndërtimeve që ka aty.
Pjesa liqenore e qytetit nuk është në UNESCO për shkak të ndërtimeve që janë në qytet. Kjo do të thotë, se nëse ne, do të vazhdojmë të ndërtojmë në pistat e Drilonit dhe Tushemishtit, patjetër që rrezikojmë daljen nga UNSECO, çfarë do ishte në fakt një lajm i mirë për Bashkinë e Pogradecit, sepse unë jam i bindur se ata janë trishtuar kur UNESCO, përfshiu pjesën e Drilonit dhe Tushemishtit në mbrojtjen dhe administrimin e vet, sepse mendoi që abuzimet do të njihnin një lloj kufiri, por si duket as ky kufi nuk po njihet nga ata. Realisht është një problem madhor i cili përveç kostove shumë të larta financiare që do ti kushtojmë buxhetit të shteti dhe bashkisë do shkatërrojë, kam frikë se përgjithmonë atë habitat të mrekullueshëm për shkak të asaj barbarie mjedisore që po ndodh aty” u shpreh Çela.
Ndërsa Erald Kapri studiues, u shpreh se ka një mungesë të theksuar transparente në këtë projekt.
“Ka një mungesë transparence në gjithë këtë projekt. Ajo që po shihet me interes është fakti që ky projekt nuk është detajuar, ne nuk kemi një informacion të plotë se si kërkohet të bëhet ndërhyrja dhe projekti i ndërtimit me tokat bujqësore që lidhen përreth liqenit dhe përreth burimeve ujore të Drilonit.
Po ta shikosh me vëmendje, fakti që e bëjnë në mënyrë të fshehtë, të ngjason më atë që ndodhi me Butrintin.
Po çfarë ndodhi në Butrint?
U përfshi një fondacion ndërkombëtar, shqiptaro-amerikan të cilët dhanë ca para për të rabilituar parkun, ku kjo është diçka shumë e mirë. Por, ndërhyn qeveria duke e zvogëluar parkun dhe na del që aty do ndërtohet një plazh ekskluziv i cili do ndërtohet nga kushëriri i Damian Gjiknurit dhe një kompani afër qeverisë. E njëjta gjë po ndodh dhe në këtë rast, nga njëra anë po justifikohet ideja e rehabilitimit të parkut të Drilonit, dhe përreth parkut do mbulohet me ndërtime për qëllime turistike.
Uroj që kjo çështje të zbardhet, përderisa ka reaguar UNESCO, përderisa ne nuk kemi një transparencë të projektit dhe bëhet fjalë për ndërtime përreth parkut, është e qartë që ky do të përdoret për interesa klienteliste”, u shpreh Kapri.