KAFE SHQETO/ Politikani serb: Do ta njoh Kosovën nëse vij në pushtet, Rama e Vuçiç i shërbejnë Putinit
Kryetari i Partisë Republikane të Serbisë, z. Nikola Sanduloviç, dha sot një intervistë ekskluzive për emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, në të cilën paralajmëroi për politikën që po ndjek Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ndaj Kosovës dhe komprometimin që i ka bërë deri edhe Parlamentit Europian, një paralele kjo me sjelljen e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama ndaj FBI.
“Do t’ju lutesha që të keni shumë kujdes për sa i përket një politike të tillë, sepse sa të jetë Vuçiçi president, është e pamundur që të nënshkruhet marrëveshja për njohjen e Kosovës, sepse është dora e tjetërkujt që i nxit këto gjëra, është dora e Putinit,” theksoi z. Sanduloviç. Po ashtu, politikani që mbështet fuqimisht pavarësinë e Kosovës dhe ka kërkuar ndjesë disa herë për gjenocidin e kryer mbi popullin e saj, zbuloi gjatë intervistës se si Vuçiçi arriti t’ia bllokonte edhe fjalimin para Bundestagut gjerman.
Z. Sanduloviç tregoi se si partia e tij për këtë qëndrime cilësohet “armike” në Serbi dhe i është bllokuar shprehja në media, por se ai nuk do të reshtë së punuari për anëtarësimin e vendit të tij në BE dhe marrëdhënie të ngushta me SHBA-në.
Intervista e plotë me gazetarët Flavio Qarri dhe Ola Bregu.
Kafe Shqeto: Z. Sanduloviç, qëndrimet tuaja janë atipike për politikën serbe. A ju kanë sjellë ato një kosto apo dhe avantazhe, për shkak se reflektojnë dhe bindjen e një pjese të popullsisë së Serbisë?
Nikola Sanduloviç: Ç’është e vërteta, nuk kanë pushuar së kërcënuari jo vetëm mua, por edhe familjen time, pjesëtarët e familjes sime, gruan dhe vajzën për shkak të qëndrimit tim në këtë drejtim. Por, jetojmë në këtë situatë dhe do të përpiqemi ta përballojmë këtë situatë.
Kafe Shqeto: Duke njohur raportet e dy vendeve, sidomos pas përplasjeve të fundit në kufirin e Mitrovicës, pse ju keni këtë qasje ndaj Kosovës, z. Sanduloviç dhe pse shpesh ndryshe nga gjithë pjesa tjetër e Serbisë, qoftë edhe nga kolegët tuaj, keni vendosur që ta njihni Kosovën si shtet të pavarur dhe keni bërë atë që ndoshta shumë prej jush nuk e kanë bërë, keni kërkuar falje për gjenocidin serb në Kosovë?
Nikola Sanduloviç: Mua më vjen shumë mirë që është vënë në dukje një tipar i politikës sime, i qëndrimit tim, për sa i përket problemit të Kosovës. Por, nga ana tjetër më vjen edhe keq sepse një pjesë e politikanëve dhe për më tepër, ata që drejtojnë politikën në Serbi, kanë një tjetër mendim dhe pikërisht kjo është arsyeja, kjo lloj mospërputhjeje ka krijuar një situatë të tillë, një lloj ngërçi të tillë që nuk na nderon ne kurrsesi si Serbi.
Kafe Shqeto: Nëse do të flisnim për popullatën serbe, për bazën, për qytetarët, a mund ta bëni një përshkrim, një sondazh të vogël, se sa përqind janë ata që janë të lodhur nga një histori lufte dhe kërkojnë vetëm bashkëjetesë dhe ndiejnë thjesht një përgjegjësi të vogël për atë që ka ndodhur, për rrugën e gabuar që është ndjekur në të shkuarën e në disa raste po ndiqet edhe në të tashmen?
Nikola Sanduloviç: Është një çik e vështirë një përgjigje e tillë, unë do të mundohem që në parashtrimin tim të jap një përgjigje të plotë në këtë drejtim. Megjithëse nuk është e lehtë, unë do të përpiqem nga ana ime. Ka rëndësi të veçantë, sepse ajo përqindje është goxha e madhe në politikën serbe sot dhe kjo mua më gëzon nga kjo anë. Më vjen mirë sepse pak nga pak është arritur një lloj pjekurie në një masë të madhe njerëzish, të cilët po kuptojnë situatën e vështirë në të cilën ndodhemi që ne nuk na nderon aspak dhe njëkohësisht që të bëjnë hapin e duhur në momentin e duhur për ta zgjidhur këtë ngërç që nuk na nderon aspak. Unë këtë mendim e kam pasur prej kohësh. Duhet të keni parasysh se ndoshta mund të jem nga të paktët, për të mos thënë i pakti politikan në Serbi, që mbaj këtë qëndrim konstant prej shumë vitesh duke pasur parasysh se jam bllokuar plotësisht, në mënyrë të veçantë nga të gjitha mediat, të cilat vetëkuptohet se kujt i shërbejnë. Prandaj e kam pasur shumë të vështirë, megjithatë unë deri me sot nuk jam tërhequr dhe vazhdoj me bindjen time, ashtu siç e kam deklaruar dhe do ta deklaroj gjithmonë, edhe në Tiranë. Sepse dihet, politika e tij (e Milosheviçit) ka vazhdimësi. Vazhdimësia e politikës së Milosheviçit na ka çuar në këtë situatë, në këtë ngërç që po kalojmë sot.
Për Vuçiç -Daçiç: "I pari i tyre është Putini dhe ai i luan “fijet” në mënyrë që të krijohet përshtypja sikur mund të kenë diçka midis tyre, por në fakt dihet synimi: të krijohet një situatë e nderë në Ballkan, që nëse Putini fiton në atë luftë, të ketë mundësi që të realizohet ëndrra e vjetër shoviniste ndaj Kosovës".
Kafe Shqeto: Vijmë tek aktualiteti politik, z. Sanduloviç. Duket se ka një përplasje për shkak të planit franko-gjerman midis Ivica Daçiç dhe Aleksandër Vuçiç. Gjithashtu, do të doja një koment nga ju në lidhje me një miqësi të çuditshme të Kryeministrit Rama me z. Vuçiç, me Presidentin e Serbisë, një miqësi për të cilën edhe Kosova nuk ka reaguar mirë, veçanërisht me disa lëvizje jo në interes të saj, siç ishte plani i Ballkanit të Hapur, tanimë “ i masakruar” nga vet Berlini dhe kancelaritë europiane.
Nikola Sanduloviç: Mos u bazoni shumë në shfaqje të tilla se këto dukuri kanë vetëm aparancën, sepse kjo është një lloj politike e kamufluar komuniste. Ka qenë dikur, vazhdon edhe sot, kështu që nuk duhet rënë pre e këtyre gjoja-mosmarrëveshjeve, të cilat nuk kanë asnjë bazë, nuk i shërbejnë asnjë qëllimi. Ju e keni parasysh, nëse mund të shprehem, se i pari i tyre është Putini dhe ai pikërisht i luan “fijet” në mënyrë që të krijohet një përshtypje sikur mund të kenë diçka midis tyre, kurse në fakt dihet synimi, është që të krijohet një situatë e nderë në Ballkan që nëse Putini fiton në atë luftë, ai të ketë mundësi që të realizohet ëndrra e vjetër shoviniste ndaj Kosovës.
Do t’ju lutesha që të keni shumë kujdes për sa i përket një politike të tillë, sepse sa të jetë Vuçiçi president, është e pamundur që të nënshkruhet marrëveshja për njohjen e Kosovës, sepse këtu është dora e tjetërkujt që i nxit këto gjëra, është dora e Putinit, vetëkuptohet, prandaj ju lutem shumë të mbani qëndrim dhe ta kini parasysh e të mos bini pre e një propagande të tillë, e cila nuk sjell asgjë të mirë, sepse Vuçiçi asnjëherë nuk do të pranojë të nënshkruajë, të pranojë pavarësinë e Kosovës.
Kafe Shqeto: Lidhur me politikën e faktorit ndërkombëtar, cila duhet të ishte qasja e duhur për të pasur një tjetër raport midis Kosovës dhe Serbisë në gjykimin tuaj?
Nikola Sanduloviç: Unë mendoj se një pjesë të mirë të Parlamentit Europian, vetë Vuçiçi e ka kompromentuar, prandaj dhe qëndrimi im …
Kafe Shqeto: Zoti Rama ka mbërritur në Amerikë me kompromentimin, deri në FBI…
Nikola Sanduloviç: Unë di që, sepse siç e thatë dhe vetë ju që kryeministri ynë ka arritur të kompromentojë edhe persona me post të lartë si në FBI, kështu që edhe Presidenti juaj nuk është gjë e panjohur apo e pazakontë që të kompromentojë një pjesë të parlamentarëve të Europës, unë dëshiroj që gjithçka ta vërtetoj. Asnjëherë deri më sot, asnjë politikan perëndimor nuk më ka thirrur mua apo dikë tjetër që të marrë një mendim se si mund të zgjidhet një problem i tillë, një ngërç i tillë, pra vetëkuptohet që mendimi i tyre është i gabuar. Në vitin 2017 jemi thirrur në Bundestagun gjerman për të referuar qoftë unë, qoftë dhe Batoni, mirëpo për çudi, si duket edhe Presidenti Vuçiç, kanë ndërhyrë tek zonja Merkel dhe neve na u mohua një referim i tillë para parlamentit, para Bundestagut gjerman; me shkrim, në lidhje me këtë që po them.
Kafe Shqeto: Cila është prania politike e Partisë Republikane në Parlamentin e Serbisë dhe bashkëpunimi me PR e Kosovës, në ç’nivele është?
Nikola Sanduloviç: Përsa i përket raportit të Partisë Republikane (serbe) dhe PR të Kosovës, ne prej vitesh, sikur të ishin vënë në zbatim ato orientime që kemi pasur qoftë ne, qoftë ata, shumë probleme do të ishin zgjidhur ndryshe, por faktikisht, ngërçi, ku hapur dhe ku fshehur, bën veprimin e vet, sepse të kemi parasysh se partia jonë është një parti që shikohet si armike atje dhe nuk i tolerohet, asnjë tolerance më e vogël për sa i përket shfrytëzimit të shtypit, të medieve, prandaj ne jemi në izolim të plotë dhe pikërisht rezultati dihet, e kemi shumë vështirë që zëri ynë të përhapet, megjithatë ne edhe në këto kushte do të vazhdojmë punën tonë.
'Në qoftë se vij në pushtet, veprimi i parë do të ishte që brenda 24 orëve do të pranoja pavarësinë e Kosovës"
Kafe Shqeto: Nëse ndodh që një ditë vini në pushtet si Kryeministër apo President i vendit, cilat do të ishin ndryshimet që do të ndodhnin në raportet midis dy vendeve?
Nikola Sanduloviç: Sikur të ndodhë një gjë e tillë, në qoftë se vijmë në pushtet, veprimi i parë do të ishte që brenda 24 orëve do të pranoja pavarësinë e Kosovës. Qoftë në Bosnjë, qoftë në Kosovë apo në Kroaci, brenda 24 orëve, me ato mundësitë e mia, do të nxirrja para gjyqit që të marrin dënimin e merituar dhe fakti është se nuk na ndan aspak një situatë e tillë, që fshihen edhe rastet e vrasjeve apo rastet e personave akoma të panjohur, akoma të pazbuluar dhe prandaj në këtë drejtim do të bëhej një hap i madh. Sikur! Në këtë drejtim. Sikur të arrihej një gjë e tillë, atëherë, paralelisht, si Serbia, si Kosova, do të shpejtohej futja jonë në bashkësinë europiane dhe po kështu ne do të ishim bërë një partner mjaft i mirë edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse për sa i përket problemit të Kosovës, ai nuk diskutohet se ne jemi edhe fqinj në lidhje me raportet tona.
Kafe Shqeto: Shoh flamurin e SHBA-së (te ju). Nëse pas z. Vuçiç qëndron Presidenti i Federatës ruse, Vladimir Putin, çfarë marrëdhëniesh keni me SHBA-në, veçanërisht me krahun republikan?
Nikola Sanduloviç: Siç e shikoni, unë edhe kravatën e kam me flamurin amerikan. Dhe me mjaft personalitete në Amerikë unë kam marrëdhënie shumë të mira dhe do të vazhdoj të mbaj marrëdhënie të tilla. Ju duhet ta dini mirë se unë kam një aspiratë shumë të madhe që Serbia të futet sa më parë në Bashkimin Europian. Për sa i përket bindjeve të mia, unë mendoj se sikur këto bindje të ishin në bazën e politikës së jashtme që bën shteti ynë, atëherë raportet tona sidomos me SHBA-në do të ishin shumë të mira dhe do të ishin në të mirën e vet Serbisë dhe të popullit serb, po kështu do të përmirësoheshin shumë marrëdhëniet tona me Evropën dhe SHBA-në dhe kuptohet edhe me Kosovën. Kam një porosi për në fund. Më ndihmoni që edhe unë t’ju ndihmoj juve. Kjo është porosia ime! Ju faleminderit!/ar.sh/SYRI.NET