Makina e atentatit/ Arben Spahiu mohon akuzat, ja pista ku po hetohet

Dy të arrestuarit, Arben Spahiu 53 vjeç dhe Arsen Preçi 44 vjeç janë marrë disa herë në pyetje për mjetin BMW, që u sekuestrua, brenda të cilës u gjetën 3 armë zjarri, si dhe për dokumentet e falsifikuara që i përkisnin Spahiut.

Ata kanë mbajtur deklarim mohues përballë këtyre fakteve.

Burime për Syri TV bëjnë me dije se Spahiu ka pohuar se nuk ka djeni për mjetin dhe armët.

Ndërsa në lidhje me dokumentet e falsifikuara greke me foton e tij, Spahiu ka thënë se mund të jenë bërë nga dikush që ka dashur t'i bëjë keq.

Prokuroria e Elbasanit po heton ngjarjen, nëse ky grup ka lidhje me Erion Alibejn. Nëse provohet që dy të arrestuarit merrnin urdhra nga Alibej, dosja i kalon SPAK me akuzën për grup të strukturuar kriminal.

Arben Spahiu dhe Arsen Preçi akuzohen për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.