Shefi i Zyrës së BE në Kosovë kritika qeverisë dhe Kuvendit: Nuk morën parasysh komentet për disa ligje

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha sot se as Qeveria e Kosovës, e as Kuvendi, nuk i kanë marrë parasysh komentet e BE-së në miratimin e Ligjit për paga dhe Ligjit për shërbyesit civilë.

Kështu deklaroi ai në konferencën vjetore “Reforma e administratës publike – progresi, sfidat dhe rruga përpara”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk pajtohemi me qasjen e kuvendit për t’i miratuar këto ligje me procedurë të përshpejtuar, sepse këto ligje duhet të ngërthejnë konstatime të dobishme me të gjitha palët e interesit”, tha ai, duke shtuar se këto kontatime nuk janë bërë.

Szunyog tha se nuk pajtohet as me mënyrën se si qeveria ka zgjedhur ta rishikojë Ligjin për zyrtarë publikë.

“Më vjen keq të them që komentet e BE-së nuk janë marrë parasysh nga qeveria apo parlamenti”, tha ai.

Ndërsa kryeministri Kurti tha se gjatë qeverisjes së tij, për herë të parë në Kosovë, është bërë unifikimi i pagës në sistemin publik.

Ai tha se reforma në administratë publike është objektivë kyçe gjatë qeverisjes së tij.

Në fund të dhjetorit, kur kuvendi miratoi në parim këto dy ligje, pa mbështetjen e partive opozitare, BE-ja reagoi duke thënë se komentet e saj nuk ishin marrë parasysh.

“Komentet kishin për qëllim të udhëzojnë në mënyrën më të mirë dhe të mbështesin qeverinë për të siguruar një shërbim civil të depolitizuar dhe profesional, me një sistem transparent të shpërblimit të bazuar në merita, në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, thuhej në reagimin e BE-së./ REL/