Tërmete të reja vdekjeprurëse në Turqi bllokojnë të tjerë njerëz nën rrënoja

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë edhe një herë për njerëz të bllokuar nën rrënoja në Turqi pasi dy tërmete të reja goditën vendin, duke vrarë të paktën tre persona.

Lëkundjet me magnitudë 6.4 dhe 5.8 goditën në jug-lindje pranë kufirit me Sirinë, ku tërmetet masive shkatërruan të dy vendet më 6 shkurt, njofton BBC.

Tërmetet e mëparshme vranë 44,000 njerëz në Turqi dhe Siri dhe dhjetëra mijëra të tjerë mbetën të pastrehë.

Ndërtesat e dobësuara nga këto lëkundje u shembën në të dy vendet të hënën.

Agjencia turke e fatkeqësive dhe emergjencave thotë se tërmeti me magnitudë 6.4 ndodhi në orën 20:04 me orën lokale (17:04 GMT), i ndjekur nga tërmeti 5.8 tri minuta më vonë.

Tre vdekjet ndodhën në Antakia, Defne dhe Samandag, tha Ministri i Brendshëm Süleyman Soylu, duke u kërkuar njerëzve të mos hyjnë në ndërtesa potencialisht të rrezikshme.

Soylu tha se 213 persona ishin plagosur gjithashtu.

Raportet nga qyteti i Antakias flisnin për frikë dhe panik në rrugë, ndërsa ambulancat dhe ekipet e shpëtimit u përpoqën të arrinin në zonat më të prekura, ku muret e ndërtesave të dëmtuara rëndë ishin shembur.

"Mendova se toka do të çahej nën këmbët e mia," tha banorja Muna al-Omar për agjencinë e lajmeve Reuters, duke qarë ndërsa mbante djalin e saj shtatëvjeçar. Ajo kishte qenë në një tendë në një park në qendër të qytetit kur ranë tërmetet e reja.

Ali Mazlum, 18 vjeç, i tha agjencisë së lajmeve AFP se kishte qenë duke kërkuar trupat e anëtarëve të familjes nga tërmetet e mëparshme, kur goditën dy tërmetet e fundit.

“Nuk dinim çfarë të bënim... u kapëm dhe mu para nesh filluan të bien muret”, tha ai.

Në Siri, rreth 470 persona të plagosur thuhet se shkuar në spital pas tërmeteve të së hënës, të cilat thuhet se janë ndjerë edhe në Egjipt dhe Liban.