S'ka qetësi në Turqi, tërmete 6.4 dhe 5.8 rihter godasin vendin, raportohet për 3 të vdekur dhe 213 të plagosur
Dy pasgoditje të reja të fuqishme goditën sot Turqinë dhe Sirinë, të dyja vendet ende të tronditur nga tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit që vranë të paktën 47,000 njerëz.
Një tërmet me magnitudë 6.4 goditi rajonin kufitar Turqi-Siri në një thellësi prej vetëm 2 km. Pasgoditja jashtëzakonisht e cekët u pasua nga një tërmet me magnitudë 5.8 ballë disa minuta më vonë me qendër jo shumë larg nga i pari në rajonin e Hatay. Hatay ndodhet në Detin Mesdhe dhe agjencia turke e fatkeqësive tha se niveli i detit mund të rritet me 50 cm, duke paralajmëruar njerëzit që të qëndrojnë larg bregut.
Për shkak të pasgoditjeve të sotme të paktën tre persona kanë vdekur dhe 213 të tjerë janë plagosur pas dy tërmeteve të reja. Raportimi është bërë nga ministri i Brendshëm turk. Gjithashtu ka ndërtesa të shembura dhe të plagosur në Antiok, qyteti i provincës së Hatajit. Të plagosur janë raportuar edhe në Siri. Dëshmitarët thanë se ekipet turke të shpëtimit po vraponin pas tërmetit të fundit, duke kontrolluar nëse njerëzit ishin të padëmtuar.
Dy javë nga tërmeti i 6 shkurtit në Turqi e Siri, numri i viktimave kap shifrën e 47 mijë viktimave. Në pjesën më të madhe të zonave të goditura kërkimet janë mbyllur, ndërsa vijojnë vetëm në 15 ndërtesa të Hatayit. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken premtoi 100 milionë dollarë të tjera ndihmë pasi vizitoi rajonin e goditur nga katastrofa.
Bashkimi Europian ka njoftuar datën 16 mars për mbajtjen e konferencës së donatorëve në ndihmë të Turqisë. Ngjarja organizohet nga Komisioni Evropian dhe qeveria suedeze që mori presidencën e rradhës të Këshillit të Bashkimit Europian më 1 janar. Nga ana tjetër, ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare ka mohuar akuzat se ushtarët turq ishin vonuar për t'iu përgjigjur njerëzve të bllokuar nën rrënoja pas tërmeteve të dyfishta që goditën Turqinë jugore më 6 shkurt. Edhe pse pasgoditjet vazhdojnë, qindra mijëra nxënës i janë kthyer mësimit pas një ndërprerjeje dy-javore për shkak të tërmetit.
Tërmetet me magnitudë 7.8 dhe 7.6 goditën Sirinë juglindore dhe fqinje të Turqisë më 6 shkurt, duke vrarë afro 47,000 njerëz dhe duke lënë më shumë se një milion njerëz të pastrehë së bashku me një kosto ekonomike që pritet të shkojë në miliarda dollarë. Presidenti turk Erdogan ka njoftuar fillimin e punës për ndërtimin e 200 mijë apartamenteve.