Historia e gjatë e Joe Biden me Ukrainën dhe skandali i djalit të tij
Nga Freddy Gray, SPECTATOR
Ishte vetëm çështje kohe përpara se Joe Biden të bënte një vizitë surprizë në Kiev. Në vitin që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, shëtitja koreografike me Volodymyr Zelensky-n është bërë si një foto-op i domosdoshëm për liderët perëndimorë. Është ekuivalenti i shekullit të 21-të i një audiencë me Papën- një lajm simbolik që nuk trondit askënd.
Kjo nuk do të thotë se nuk është e rëndësishme. Ajo sinjalizon përsëri, se Amerika– lojtari më i fuqishëm ushtarak dhe financiar në planetin tokë- qëndron fort pas Zelensky-t dhe përpjekjeve të tij për të zmbrapsur pushtimin rus. Biden mund të mos jetë, në këtë moment, i gatshëm të sigurojë avionët që ukrainasit janë kaq të etur për t’i siguruar, por në konferencën për shtyp me udhëheqësin ukrainas, ai njoftoi ‘gjysmë miliardë dollarët e tjerë... që do të vijnë në rrugën tuaj’. Është gjithashtu një deklaratë e qartë për Pekinin, për përpjekjet e raportuara për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje. Mesazhi mund të përkthehet: tërhiquni, Daja Sem e vendos sërish klimën gjeopolitike në botë!
Media do të fokusohet në këto pika. Por ia vlen gjithashtu të reflektohet për një vizitë tjetër më pak të profilit të lartë që Joe Biden bëri në Ukrainë pothuajse saktësisht 9 vjet më parë, në Air Force Two, në vitin 2014, kur ai ishte zëvendëspresident dhe Barack Obama e kishte caktuar që të merrej me revolucionin e Maidan-it. Në atë kohë, ai kishte ofruar një paketë ndihme shumë më modeste prej 58 milionë dollarësh- si dhe një paralajmërim të ashpër për të ‘luftuar kancerin e korrupsionit’.
Kishte më shumë se një erë hipokrizie në ato fjalë, pasi në atë kohë, Biden po tërhiqte vëmendjen nga Hunter Biden, djali i tij. Hunter, një i varur nga droga, atëherë paguhej në mënyrë qesharake për të punuar për Burisma-n, një kompani minerare e drejtuar nga oligarku ukrainas, Mykola Zlochevsky, një ‘imazh ideal i korrupsionit’, sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit.
Në publik, Shtëpia e Bardhë dhe zyra e zëvendëspresidentit mbrojtën pozicionin e Hunter: “Hunter Biden është një qytetar privat dhe një avokat,” tha një zëdhënëse e Biden. “Zëvendëspresidenti nuk mbështet asnjë kompani të caktuar dhe nuk ka asnjë përfshirje me këtë kompani”.
Prapa skenave, megjithatë, siç tregon Ben Schreckinger në librin e tij: “Bidenët: Brenda rritjes 50-vjeçare në pushtet të Familjes së Parë”, thuhet se ndihmësit e Joe ishin të shqetësuar nga marrëveshja, por ata nuk e ngrinin këtë çështje nga frika se mos u bërtisnin apo se mund të lëndonin ndjenjat e tij.
Në librin e tij të mrekullueshëm me kujtime “Gjërat e bukura”, Hunter Biden këmbëngul se, edhe pse mbiemri i tij ishte një kredencial i lakmuar, ai ishte mjaft i kualifikuar për postin prej 1 milionë dollarë në vit në Burisma. “Babai më telefonoi dhe më tha: shpresoj se e di se çfarë po bën, duke dashur të sigurohej që do të tregoja kujdesin e duhur... dhe unë e sigurova se e kisha”.
Joe Biden njëherë u mburr se u kishte thënë ukrainasve se ata duhet ta shkarkonin prokurorin e tyre të përgjithshëm, Viktor Shokin, i cili, mundet ose jo, të ishte duke hetuar kompaninë Burisma. (Hunter këmbëngul se Shokin ishte kritikuar për mosndjekjen e kompanisë për të cilën punonte).
‘Skandali i Ukrainës’ ishte burimi i kërkesës së parë për shkarkimin e Donald Trump. Rudy Giuliani, duke vepruar në cilësinë e juristit që rregullon çdo gjë për Trump, bëri disa gërmime për biznesin Biden-Ukrainë. Aktivitetet e Giuliani-t, duke përdorur informatorë të lidhur me Rusinë, çuan në ofertën e supozuar të Trump për presidentin e ri në atë kohë, Zelensky, kur presidenti i 45-të sugjeroi që përmbushja e një premtimi për ndihmën ushtarake të SHBA mund të kushtëzohej me faktin nëse Zelensky do siguronte informacione që e dëmtonin Biden.
Përpjekjet e rrëmujshme të Giuliani-t dhe kërkesa për shkarkimin e Trump- nënkuptojnë se sot çdo dyshim për Biden në lidhje me Ukrainën prirej të cilësohej si një ‘dezinformim rus’. Por cenueshmëria politike e Biden për këtë çështje duhet të jetë shumë e dukshme për t’u injoruar. Mendjet kërkuese mund të pyesin nëse Biden dhe Zelensky diskutuan sot për ‘Skandalin e Ukrainës’, dhe nëse po, si shkoi ajo bisedë.
Është gjithashtu edhe rasti kurioz i John Hynansky-t, biznesmenit ukrainaso-amerikan në Delaware, të cilin Biden në vitin 2009 e pati quajtur ‘miku im shumë i mirë’. Pas krizës në Ukrainë në vitin 2014, vëllai i Joe Biden, Jim dhe gruaja e tij Sara, morën 900 mijë dollarë kredi të lidhura me një kompani të kontrolluar nga Hynansky. A është rastësi që, nga viti 2009 deri në vitin 2012, kompania e Hynansky-t, Winner Automotive Group, mori më shumë se 20 milionë dollarë nga Grupi i Investimeve Private Jashtë Vendit, një agjenci federale që jep hua zhvillimi ndërkombëtar?
Askush nuk e di. Në mjegullën e luftës në Ukrainë, pyetje të tilla duket se humbasin.