Media spanjolle zbulon prapaskenat, Juve kishte arritur marrëveshjen për të shitur Vlahovic në janar

 

“Dusan Vlahovic është në shënjestrën e Realit të Madridit”, është ky lajmi që shkruan e përditshmja spanjolle AS, që zbuloj edhe një prapaskenë shumë interesante:

“Sipas burimeve të përfshira drejtpërdrejt në tratativa, Juventusi ka negociuar shitjen e Vlahovic me një skuadër elitare të Premier League, me shumë mundësi me Manchester United, në merkaton e fundit dimërore. Çmimi i kërkuar ishte mes 100 dhe 120 milionë eurove. Kur dukej se tratativa po mbyllej me sukses dhe transferimi ishte gati, agjenti i lojtarit bllokoi gjithçka”.

Sipas AS, Vlahovic mbetet një objektiv i mundshëm i Realit, që ndjek me vëmendje situatën e sulmuesit serb. Në zyrat e klubit spanjoll po kërkohet pasardhësi i Benzemasë, një sulmuesi i nivelit të lartë, ashtu si Haaland dhe Mbappé, por kontratat e tyre nuk skadojnë sezonin e ardhshëm.

Aktualisht ka dy opsione: të vazhdohet për dy sezonet e ardhshme me organikën aktuale, ose të blihet një sulmues, që jep garanci, si Vlahovic, pavarësisht nëse Mbappé ose Haaland do të mund të transferohen në Madrid në të ardhmen.