SYRI TV/ 'Të tërhiqen 3 nismat e kundërshtuara nga BE', Shqipëria në listën gri të politikave fiskale
Konfidustria i kërkon qeverisë shqiptare që të tërheqë sa më shpejt, nismat e "amnistisë fiskale", të pasaportave të arta dhe legalizimit të kanabisit mjekësor. Aktualisht, BE e ka renditur vendin tonë në “listën gri” të shteteve te rrezikuara nga pastrimi i parave dhe këto nisma e rrezikojnë Shqipërinë që të kthehet në parajsë fiskale për krimin ndërkombëtar, duke e cenuar seriozisht procesin e integrimit.
Nga SYRI TV
Pas goditjes që BE i dha Shqipërisë duke e renditur në “listën gri” të shteteve me probleme fiskale dhe shpërthimit të aferës “McGonigal”, Konfinustria i kërkon qeverisë shqiptare që të tërheqë sa më shpejt, tri nismat e kundërshtuara nga instancat ndërkombëtare, amnistinë fiskale, pasaportat e arta dhe legalizimin e kanabisit mjekësor, duke shtuar se në rast vonese, vendi ynë rrezikon seriozisht procesin e integrimit.
“Konfindustria i kërkon ekzekutivit, që në një kohë sa më të shpejtë të tërhiqet zyrtarisht nga nismat e amnistisë fiskale, pasaportat e arta dhe ligjërimi i prodhimit të kanabisit mjekësor. Veprimi i mësipërm bëhet i domosdoshëm në kushtet e zgjerimit të monitorimit të vendit nga agjencitë e specializuara të BE dhe vazhdimësisë së mbajtjes në grupin e së ashtuquajturës “listë gri” të shteteve më të rrezikuara të pastrimit të parave. Gjithashtu, tërheqja zyrtare nga nismat e mësipërme bëhet edhe më domosdoshmëri, duke vlerësuar pasojat e paparashikuara që mund të rrjedhin nga skandali i fundit me ish-zyrtarin e lartë të FBI amerikane. Në rast të vonesës së tërheqjes nga amnistia fiskale e shpallur, Shqipëria rrezikon seriozisht vonesa dhe pengim të procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian si qëllim strategjik me rëndësi kombëtare.”
Sipas raporteve, me këto nisma, vendi ynë rrezikon të kthehet në parajsë të pastrimit të parave të pista. Rrymat e parave “jo të ligjshme” që mund të shtohen nga këto nisma, thekson Konfindustria, godasin ashpër konkurencën e drejtë dhe biznesin e ndershëm dhe ndërtimin e një ekonomie kombëtare të qëndrueshme në afatgjatë.