Andoni: Sot është 20 shkurt dhe ne nuk i jemi larguar akoma komunizmit
Më 20 shkurt 1991, dhjetëra dhe mijëra qytetarë shembnin simbolin e komunizmit bustin e diktatorit Enver Hoxha në qendër të Tiranës.
Ben Andoni i ftuar në 'Kafe Shqeto' në Syri Tv, solli në kujtesë rëndësinë historike të kësaj dite, teksa u shpreh se ndonëse kanë kaluar 32 vite ne nuk i jemi larguar akoma komunizmit.
“Sot kemi një ditë që është shumë e madhe, 20 shkurti, un do kisha shumë dëshirë të orientoheshim më shumë aty, në sensin: I jemi zhdukur dot komunizmit apo jo?
Në mendimin tim ne nuk kemi bërë kontrata as sociale as publike për tu larguar nga komunizmi, prandaj na rrjedhin të gjitha këto problematikat e tjera të cilat ju i shpalosni me të drejtë.
Por edhe njëhëre, fakti që Shqipëria është në NATO, fakti që Shqipëria është në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare dhe fakti se ne kemi tashmë një ulëse të përkohshme në Këshillin e Sigurisë tregon që Shqipëria ka ecur, por e vetmja gjë që më shqetëson publikisht është që ne të gjithë kemi një lloj mosbesimi për vendin tonë dhe harrojmë që këto nuk janë merita të politikanëve por të shqiptarëve dhe të kontributit të shqiptarëve për demokraci dhe mbi të gjitha dëshirës së madhe për ndryshim, ku mesa duket zoti Rama do e ketë shumë të vështirë edhe ta mbyllë mandatin e tretë” u shpreh Andoni.