I dha fund aventurës në Turqi, Eros Grezda rikthehet te skuadra hungareze

Eros Grezda i dha fund aventurës në Turqi me skuadrën e Manisës dhe duket se e ka gjetur menjëherë skuadrën e re.

Bëhet fjalë për një rikthim te ish-skuadra e tij, Zalaegerszeg në Hungari, nga e cila u largua një vit më parë.

Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi hungarez, i cili i uron mirëseardhjen ish-futbollistit të Kombëtares shqiptare.

Në eksperiencën e tij të parë tek Zalaegerszeg, Grezda luajti vetëm në 5 ndeshje, duke shënuar 1 gol.

27-vjeçari ka nënshkruar për një vit e gjysmë, ndërsa drejtori sportiv i klubit Attila Dragóner u shpreh i lumtur për afrimin e lojtarit të kombëtares së Shqipërisë, për të cilin tha se beson shumë se Grezda do e ndihmojë ekipin me eksperiencën e tij, ndërsa veçoi se shpreson që në këtë aventurë të dytë të lojtarit, ai të ambientohet sa më parë, për të dhënë kontributin e tij.

Grezda numëron 13 ndeshje me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë, ndërsa e ka gjetur dhe një herë rrugën e rrjetës.

Futbollisti do të synojë që jo vetëm të ndihmojë ekipin e ri, por në anën tjetër dhe të fitojë formën e tij më të mirë, për tu kthyer në një alternativë për trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho.