Ministrat e Jashtëm të BE do të diskutojnë blerjen e përbashkët të municioneve

Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, mbështeti një thirrje nga Estonia për anëtarët e bllokut që të blejnë armë së bashku për të ndihmuar Ukrainën – një qasje që zyrtarët thonë se do të ishte më efikase sesa anëtarët e BE-së të bënin porosi individuale.

Ministrat e Jashtëm të BE pritet që ta diskutojnë planin në Bruksel të hënën.

Plani do të funksiononte duke vendosur porosi të mëdha municionesh në emër të shumë shteteve anëtare për të përshpejtuar prokurimin dhe për të inkurajuar firmat evropiane të armëve që të investojnë në rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese.

Borrell tha se ai do t’i paraqesë planet në takim për të përdorur, aktin ekzistues të paqes evropiane prej 3.6 miliardë eurosh për BE-në, për të prokuruar municione bashkarisht sipas modelit të prokurimit të vaksinave gjatë krizës së Covid.

Në një panel diskutimi me kryeministren e Estonisë Kaja Kallas në Mynih të dielën, Borrell tha: “Jam plotësisht dakord me propozimin e kryeministrit të Estonisë, ne po punojmë për këtë dhe do të funksionojë”.

Megjithatë ai paralajmëroi se kjo nuk do të zgjidhte nevojën urgjente të Kievit për më shumë municion tani. “Kjo nuk mund të zgjidhet duke hyrë në prokurime të përbashkëta... sepse çdo prokurim që del në treg do të vijë në fund të një radhe të një liste të gjatë porosish të krijuara tashmë nga shtetet anëtare.”

Borrell tha se ideja estoneze do të funksiononte në një afat të mesëm, por ai beson se urgjenca e mungesave është e tillë që kërkon që vendet e BE të përdorin stoqet ekzistuese. “Ne duhet të përdorim ato që kanë shtetet anëtare,” tha ai.

:Duhet bërë shumë më tepër dhe shumë më shpejt. Ka ende shumë për të bërë. Ne duhet të rrisim dhe përshpejtojmë mbështetjen tonë ushtarake. Aktualisht, ushtrisë evropiane i duhen gati 10 muaj për të blerë një plumb të kalibrit 155 mm, gati një vit dhe pothuajse tri vjet për të blerë një raketë ajër-ajër. Kjo nuk është në përputhje me situatën e luftës në të cilën jetojmë”.