Gol pas 636 ditësh në shtëpi, Lukaku: Tani ndihem mirë
Nga Udineze tek Udineze mund të përkufizohet rrugëtimi i Romelu Lukakut për golin e gjetur në “San Siro”.
Hera e fundit që belgu kishte shënuar në shtëpinë zikaltër në kampionat ishte 636 ditë më parë, më 23 maj 2021.
Largimi drejt Chelseat, e më pas rikthimi në Milano, por pa mundur të shënonte në Serinë A, që nga transferta e Leçes në gusht, i kishin bërë muajt e fundit një periudhë tejet të errët për sulmuesin, që shpreson që tani të nisë një sezon i ri për të.
Penalltia që solli avantazhin, ishte e 13-ta e realizuar për të në po kaq të ekzekutuara me Interin, me belgun që konfirmoi se po rigjente formën e tij optimale.
“Ndihem mirë, ndiej se jam në maksimumin tim fizikisht. Jam shumë i lumtur, sepse kam pasur disa ndeshje gjatë të cilave kam pasur mundësi të rigjej formën time. Tani jam mirë, kemi bërë një punë të shkëlqyer me stafin dhe përgatitësit dhe ndiej se jo vetëm unë, por gjithë skuadra është në gjendjen e duhur”, është shprehur 29-vjeçari.