Nga vija e parë e frontit, në xhirime: Aktori ukrainas rikthehet në ekranin e madh
“Ne ndalojmë shkelësit, zbulojmë grupe sabotuese, kërkojmë njerëz të dyshimtë”.
Këto fjalë i përkasin Anatol Fon-Filandra... Një ish-aktor ukrainas i kthyer në ushtar pas mobilizimit në vend, xhiroi një film dhe u rikthye sërish në ekranin e madh.
Filandra ishte një aktor profesionist ukrainas përpara se të hynte në ushtri pas pushtimit të Rusisë në shkurt 2022, të hynte në Gardën Kombëtare të Ukrainës. Ai sot është sërish para kamerave dhe ekraneve të mëdha.
"Shokët e mi bënë shumë shaka kur mësuan për profesionin tim, atë që kam bërë para luftës. Ka pasur reagime shumë të ndryshme. Për shembull: "Më jepni një autograf, se pas 10 vitesh shitet për një shumë të madhe,” tregon Filandra, që i shqipton këto fjalë ndërsa ruan rrugët e Chernigiv.
Vetëm për katër ditë, ai mori një autorizim special për të luajtur në një film të shkurtër të titulluar "Le të ketë diell dhe të humbasë errësira"- një histori dashurie që ndodh në kohë lufte.
"Çështjet ushtarake janë mjaft rutinë dhe monotone. Ditë pas ditë duhet të bësh disa gjëra jot ë zakonshme. Por këto veprime kanë rezultate shumë domethënëse në planin afatgjatë. Objektivi im me këtë projekt është të tërheq vëmendjen te ushtria, te problemet që ekzistojnë”. thotë Filandra dhe shpjegon situatën me të cilën përballet vendi i tij.
Regjisori i filmit Igor Tykhomyrov e ka shkruar skenarin para vitit 2014. Por ai thotë se i doli ende i rëndësishëm edhe sot.
"Mendoj se fakti që nuk e xhiruam deri tani ka kuptim sot. Sot është koha për të folur për gjëra të tilla. Ne morëm leje që Anatol nga Garda Kombëtare të luante në këtë projekt fare lehtë sepse fillimisht u dërguam skenarin, ata e lexuan, e kuptuan se historia ishte patriotike, plot sens, se ishte kinema serioze”, shton kineasti 51-vjeçar.
Igor Orynko, komandanti i njësisë ushtarake 3082 të Gardës Kombëtare të Ukrainës thotë se ndonjëherë ushtarët e rinj kishin më shumë motivim se të vjetrit dhe Anatol me sa duket është njëri prej tyre.