Pas kërcënimit, Koreja e Veriut lëshon raketa me rreze të shkurtër veprimi
Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi drejt Japonisë të hënën, në provën e saj të dytë të armëve brenda tri ditësh, që u dënua me shpejtësi nga rivalët e saj dhe bëri që Tokio të kërkojë një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Gjuajtjet e armëve pasojnë një lëshim të raketës balistike ndërkontinentale të shtunën dhe kërcënimet e Koresë së Veriut për të dhënë një kundërpërgjigje të fortë të paparë ndaj stërvitjeve ushtarake SHBA-Kore e Jugore, të cilat Veriu i sheh si një provë pushtimi.
Disa ekspertë thonë se Koreja e Veriut po punon për arsenale më të fuqishme armësh me të cila beson se do të rrisë ndikimin në negociatat e mundshme me Shtetet e Bashkuara.
Ushtria e Koresë së Jugut tha se i konstatoi dy lëshimet e raketave të hënën në mëngjes nga një qytet bregdetar perëndimor, në veri të Phenianit, kryeqyteti i Koresë së Veriut.
Japonia tha se të dy raketat ranë jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë dhe se nuk u raportua asnjë dëmtim, as te avionët dhe anijet në zonë.
Sipas vlerësimeve japoneze dhe koreano-jugore, raketat e Koresë së Veriut fluturuan në një lartësi maksimale 50-100 kilometra (30-60 milje) dhe një distancë prej 340-400 kilometra (210-250 milje).
Si Koreja e Jugut ashtu edhe Japonia i dënuan lëshimet si kërcënim për paqen ndërkombëtare dhe shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ndalojnë çdo aktivitet balistik nga Koreja e Veriut.
Kryeministri japonez Fumio Kishida u tha gazetarëve se Tokio po kërkonte një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit për t'iu përgjigjur lëshimeve të fundit të Koresë së Veriut.