SYRI TV/ Vijon vëzhgimi nga krimi, ja qytetet ku u zbuluan edhe 20 kamera sigurie
20 kamera të tjera sigurie të vendosura në mënyrë të paligjshme, janë zbuluar dhe çmontuar nga policia këtë të diele në qarqet Dibër, Korçë, Tiranë dhe Durrës.
Gjatë operacionit janë venë nën hetim 8 persona përgjegjës, për të sqaruar motivin e monitorimit të ambientit publik përmes këtyre kamerave, pasi ka dyshime se mund të jenë vendosur për qëllime kriminale.
Syri tv
Vijon operacioni ‘Fijet’ në vendin tonë. Këtë të diele policia njofton se janë çmontuar edhe 20 kamera të tjera sigurie në qarkun Dibër, Korçë, Tiranë dhe Durrës, të cilat ishin vendosur në mënyrë të paligjshme, duke e çuar në total deri tani numrin e kamerave të cmontuar në 548.
Gjate operacionit të zhvilluar në 4 qarqet, jane identifikuar 8 personat përgjegjes duke i vene nën hetim, të cilët akuzohen për cënim të privatësisë. Ata duhet të dokumentojnë ligjërisht qëllimin përse i kishin instaluar këto kamera.
Por sipas policise, dyshohet se kamerat të jenë vendosur nga grupet kriminale për të vëzhguar policinë dhe rivalet e tyre. Konkretisht në këtë operacion, në Peshkopi u çmontuan dhe 7 kamera të tjerë ndërsa nisi hetimi për një shtetas. Në qytetet Korçë dhe Pogradec, janë çmontuar edhe 6 kamera dhe 4 persona janë vendosur nën hetim. Në Tiranë janë çmontuar 4 kamera te tjera dhe janë iniciuar hetimet për 2 persona.
Ndërsa në Durrës janë çmontuar dhe 3 kamera dhe janë iniciuar hetimet për një shtetas. Në rang kombëtar, shkon në 548 numri i kamerave të çmontuara dhe në 116 numri i shtetasve në hetim.