‘Paratë janë të Alda Klosit’/ Dëshmia që rëndon ish-zyrtaren e kryeministrisë së Ramës

Havier Dobi përforcon deklarimet e të ëmës sanitares Rozeta Dobi, duke thënë se gjithë shumat e parave të gjetura në banesën e tyre, i përkasin Alda Klosit, ish-zyrtares së kabinetit qeveritar.

Ripyetja e të riut përforcon dyshimet e organit të akuzës se paratë mund ti përkasin të gjitha Klosit, ndryshe sa ka pranuar kjo e fundit, se vetëm 120 mijë euro janë të saj. Havier Dobi, sqaron njësoj si e ëma e tij Rozeta se nuk është përfshirë në këtë çështje, dhe se gjithçka është bërë mes Rozeta Dobit dhe Alda Klosit.

Mbi këto deklarime të sanitares, me e 3 shkurt, prokuroria lëshoi edhe urdhrin e arrestit ndaj ish-zyrtares për të cilën janë ngritur tre akuza, deklarim i rremë para Oficerit të Policisë Gjyqësore, fshehje e pasurisë dhe pastrim parash. Havier Dobi insiston që heqja e parave nga banesa e Klosit ka qenë inskenim dhe se kërkesa ka qenë e kësaj të fundit.

Ai vetë thotë se ditën e lëvizjes së parave nga banesa e Klosit në rrugën e "Kosovarëve", ka qëndruar poshtë apartamentit duke pritur të ëmën. Sa i përket ish-zyrtares dhe deklarimeve të saj, në kuadër të hetimeve prokuroria ka pyetur edhe vëllain e saj Leonard Çiko.

Në deklarimet përkatëse, organi i akuzës ka konstatuar mospërputhjes, pasi Klosi ka pretenduar se shuma prej 120 mijë euro është e xhaxhait të saj që ndërroi jetë disa kohë më parë në Amerikë, ndërsa vëllai i Klosit, në deklarimet e tij ka thënë se kjo shumë i ishte marrë borxh një miku të tyre, qëndrim i artikuluar edhe nga avokati i Klosit gjatë procesit të caktimit të masës së sigurisë.

Të hënën Alda Klosi do dalë përpara Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm pasi ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë atë të arrestit me burg, në një masë më të butë.