Banorët e Bërxullës: Do ta mbroj shtëpinë time me çdo kusht

Banorët e Bërxullës kanë zhvilluar protestën e radhës kundër ndërtimit të aksit Thumanë-Kashar për shkak të shpronësimit të cilësuar të padrejtë nga ana e tyre.

Një prej banoreve të zonës ka deklaruar se shteti nuk do t’ia dijë për banorët. Ajo deklaroi se ka rreth 5 muaj që këta banorë protestojnë dhe se me ndërtimin e autostradës tokat e tyre bëhen të paaksesueshme, përveç pretendimit për shpronësimin e padrejtë të pabarabartë me çmimin e tregut.

Banorja vijoi duke thënë se nëse do “vijnë ta vrasin” për pronën, do të përgjigjet në mbrojtje të shtëpisë së saj me çdo kusht.

Për banorët nuk po pyet as shteti as njeri. Ky shtet nuk do t’ia dijë për banorët. Vetëm mbledh firmat për të marrë paratë e veta. Nuk do presim edhe shumë, policia na pret te rruga por edhe ne do e mbrojmë të drejtën tonë. Nuk mund të bëjmë gjyq për shtëpitë tona që kemi punuar gjithë jetën. Nuk mund të ikim me një firmë. Unë kam 7 dynym tokë. Këtu bëhet autostrada dhe ne nuk e aksesojmë dot. Unë shtëpinë time do e mbroj deri në minutën e fundit. shtëpinë time nuk e lëshoj, do bëhem hero këtu. Shteti shqiptar është vetëm për të vjedhur, nuk e mbron popullin. Ka vetëm padrejtësi, prokurori jo, shtet jo.

Problemi ka shkuar në Parlament por bëjnë një sy qorr. Ata vetëm tallen me popullin. Ne do reagojmë në mënyrat më të këqija, do vijnë ata të më vrasin, do i vras dhe unë, me gurë me sfurk, armë nuk kam përdorur dhe nuk përdor. Le të vijë firma të sqarohet me popullin”, u shpreh ajo.