VIDEO/ Tërmeti i 2019 në Shqipëri, rindërtimi komprometues. Bashkitë shmangën kostot financiare

4 vite pas tërmetit në Shqipëri, ende ka paqartësi dhe mungesë transparence lidhur me procedurat e rindërtimit, çka mund të bëhet shkak për një katastrofë të madhe, nëse ndodh një tërmet tjetër. Në një artikull të Monitor shkruhet se nga të dhënat e Bashkisë Durrës, rezulton se mbi 80% e banesave të dëmtuara janë klasifikuar në nivelin DS1-DS3, ndërsa riparimi është bërë nga vetë banorët dhe nuk është certifikuar nga asnjë institucion.

SYRI TV

Tërmeti i ndodhur së fundmi në Turqi ka kthyer vëmendjen dhe debatin në standardet e ndërtimit në Shqipëri. Në 2019, tërmeti në vendin tonë shkaktoi dëme të konsiderueshme, çka ngriti shumë pikëpyetje mbi cilësinë e ndërtimeve. Por ende sot 4 vite më pas, ka paqartësi dhe mungesë transparence lidhur me procedurat e rindërtimit, të cilat mund të bëhen shkak për një katastrofë edhe më të madhe, nëse ndodh një tërmet tjetër.

Pas tërmetit të Izmirit në 1999, Turqia përafroi Eurokodet në legjislacion, por me kalimin e viteve, situata doli jashtë kontrollit. Ndërkohë Shqipëria nuk ndodhet në të njëjtat kushte dhe duket se nuk ka nxjerrë mësim edhe pse tërmeti la pas 51 viktima.

Një artikull i Monitor sjell në vëmendje rikonstruksionin e pallateve shumëkatëshe me mure e fasada të dëmtuara në Durrës, të klasifikuara në DS2 dhe DS3. Banorët i riparuan në mënyrë individuale këto objekte, pasi morën kompensimin nga qeveria. Por muret e plasaritura shpesh janë mbushur me suva dhe bukë peshku, pa marrë në konsideratë parametrat inxhinierikë për raste të tilla. Cilësia e punimeve u la në ndërgjegjen e banorëve jashtë çdo mbikëqyrje profesionale nga entet publike dhe ekspertët e fushës- sqarohet në artikull.

Në muajt e parë pas tërmetit, një seri falsifikimesh u bë me kategoritë DS4 dhe DS5, që ishin dëmtime të rënda. Shumë ndërtues, për të shmangur përgjegjësitë dhe kostot ndërhynë, duke riklasifikuar me ekspertiza të reja kategoritë DS4 në DS3 dhe DS2, teksa bashkitë bënë një sy “qorr” për të shmangur kostot financiare nga kompensimi. Monitor shkruan se sipas të dhënave nga Bashkia Durrës, rezulton se mbi 80% e banesave të dëmtuara janë klasifikuar në nivelin e dëmit DS1-DS3, për të cilat riparimi është bërë nga vetë banorët dhe nuk është certifikuar nga asnjë institucion.

Ndërkohë, nivelet e vetëdijes dhe gatishmërisë së popullatës ndaj tërmeteve, përgjithësisht janë të ulëta.