'Mes ikjes dhe izolimit, Kosova feston një dekadë e gjysmë shtet'

Nga Astrit Veliqi.

Kosova sot feston 15-Vjetorin e Pavarësisë, një ditë kjo e cila u kurorëzua pas një sakrifice të madhe historike ndër breza.

Por vula e gjithë këtij rrugëtimi të pashembullt për ta përjetësuar lirinë e ka pushka e Adem Jasharit dhe lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ndihmuar nga aleatët perëndimorë dhe bombat e NATO-s.

E sot kur shteti ynë po feston Ditën e Pavarësisë, çdo qytetar i vendit, i ri e plak do të duhej të ndihej krenar me jehonën festive e cila u brumos nga gjaku dhe gjymtyrët e shumë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë.

Por si e gjeti Kosovën, përvjetori i pavarësisë apo një dekadë e gjysmë shtet?

Me pak fjalë, në një gjendje jo të mirë, mes ikjes dhe izolimit, me shumë sfida e pengesa drejt rrugëtimit të saj si shtet, nisur nga ato të brendshme, sikur janë kriza e madhe ekonomike ku qytetarët pas rritjes bazike të çmimeve po përballen me varfëri çdo ditë, ku një pjesë e madhe e tyre mezi po e kalojnë muajin.

E shto kësaj edhe ikjes masive të qytetarëve, duke ikur nga vendi të cilit përkundër entuziazmit për festën i ka humbur shpresa, një shpresë për jetën e të ardhmen e saj.

Ndërsa në sferën e jashtme, shteti ka ngecur shumë në integrimin e tij, duke nisur me faktin që përkundër 15 viteve shtet, ende kemi mbetur të izoluar, i vetmi vend në Evropë që duhet pajisur me vizë për të udhëtuar drejt aspiratës tonë evropiane.

15 vitet shtetësi, por vendi ka mbetur në një “geto ballkanike” e paradoks i kësaj është ikja masive e qytetarëve, të cilët duke u zhgënjyer nga perspektiva e vendit, janë sy e vesh nga bota e perëndimit. 

Pamje e dhimbshme kjo në shikim të parë, por pritjet e qytetarëve për ndryshim kanë qenë të mëdha, derisa përkundër mburrjes qeveritare, realiteti tregon një tablo tjetër, atë të pashpresës, varfërisë e pasigurisë për të ardhmen në shtetin e ëndrrave shekullore.

Sfidë tjetër e madhe e vendit, në këtë rrugëtim mbetet edhe marrëveshja finale me Serbinë, ku orekset ruso-serbe për territore janë rritur edhe me shumë që pas agresionit në Ukrainë.

Kosova e Serbia si vende fqinje me një të kaluar tragjike duhet domosdo të arrijnë të pajtimi, në të kundërtën - gjeneratat e ardhshme nuk do të na falin për mosarritjen e paqes dhe mirëqenien në Ballkan, ku larg qoftë në të kundërtën, edhe historia mund të rikthehet e përgjakshme.

Por sot me shumë se kurrë, shteti i Kosovës, i cili e ka mbushur moshën e 15-të, ka nevojë për vende pune, siguri, mirëqenie, në mënyrë që truri i tij rinor të mos e shohë Evropën me sy por ta shohë Kosovën si vend të shpresës e ardhmërisë.

Por a do të ndodhë kjo?! Gjasat janë të vogla, megjithatë shpresa nuk vdes kurrë, ku edhe në këtë përvjetor jubilar, jehona e kremtës festive bëri bashkë të vogël e të madh, prandaj vetëm të bashkuar mund të bëjmë më të mirën për vendin tonë e ku fëmijët tanë do të ecin e vrapojnë pa u frikësuar nga askush, që e nesërmja të na gjejë më të bashkuar e në paqe.

Kosovë, gëzuar Ditën e Pavarësisë!