SYRI TV/ 'Durrësi i Ri' nën rrezikun e epidemive: Kanale të ujërave të zeza dhe plehra, plehra...

Kanalet e ujërave të zeza janë kthyer në makth për banorët e lagjes 17 në Durrës. Prej vitesh ato nuk pastrohen, duke u kthyer në rrezik për sëmundje në verë dhe duke shkaktuar përmbytje në dimër. Për më tepër, banorët e zonës përballen edhe me mungesën e infrastrukturës rrugore, teksa bëjnë thirrje që shteti të investojë në këtë zonë.

Nga SYRI TV

Rrugët dhe kanalet në brendësi të lagjes 17 në qytetin e Durrësit, përbëjnë një shqetësim të madh për banorët e kësaj zone, sidomos gjatë kohës kur ka reshje.

Banorët e disa lagjeve në zonën e ish-kënetës në Durrës përballen prej vitesh me probleme të mëdha mjedisore dhe kushte shumë larg emërtimit “Durrësi i Ri”. Rrugë të paasfaltuara dhe gropa të mbushura me ujë, ndotje dhe erë kundërmuese si shkak i mospastrimit të kanaleve që janë mbushur nga kallamishtet e barishtet, kjo është panorama që banorët e zonës përballen çdo ditë, që krijon imazhin e një minixhungle në mes të një qytetit turistik.

Rrezik nga epidemitë në verë dhe përmbytje nga shirat në dimër, ky kanal është kthyer në makthin e qytetarëve.

Krahas të gjitha problematikave të lartpërmendura, në zonë mungojnë edhe koshat e mbeturinave. Balta e krijuar prej shirave është ngjeshur me plehrat e shpërndara kudo, pasi banorët kanë improvizuar vetë një pikë grumbullimi.