Berisha: Revolucioni i '90-ës triumfoi se pati forcën e lëvizjes paqësore

Kryetari demokrat, Sali Berisha, foli në konventën kombëtare të grupimit ‘Dhjetor 90’. Ai tha se ai revolucion triumfoi sepse kishte forcën e një lëvizje paqësore.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të shpreh nderimin tim, të përulem me nderimin më të thellë para jush, para mijëra bashkëmoshatarëve tuaj, studentë, që me një guxim epik dolët në rrugë, të udhëhequr nga një bashkëmoshatar i juaj, student, të udhëhequr nga Azem Hajdari dhe u përballët dhëmbë për dhëmbë me diktaturën. Protesta juaj kundër diktatorit dhe diktaturës në rrugët e Tiranës, ishte një kulm i guximit njerëzor.

Diktatura e Ramiz Alisë, që ishte diktatura e Enver Hoxhës, ndonëse e lodhur, përsëri ekzekutonte moshatarët tuaj në kufi, i zvarriste kufomat e tyre në qytete për të mbjellë terror, për të mbjellë frikë. Askush nuk mund ta bënte atë që bëtë ju. Ishte guxim, ishte mençuri, ishte taktikë, ishte vendosmëri! Nisët një revolucion demokratik, që përbën faqen më të ndritur të lëvizjes paqësore të shqiptarëve për liri, më të suksesshmen!

E nisët atë revolucion karshi një regjimi që mbante të shtypur për mbi 45 vite kombin e tij, në një diktaturë si asnjë tjetër në Europë dhe botë, në një kasaphanë të luftës së klasës, në një tirani të mjerimit, varfërisë dhe urisë, në një izolim të plotë dhe total. Në një indoktrimin ekstrem! Nuk kishte kushte më të vështira, por forca juaj ishte mbinjerëzore, ishte e jashtëzakonshme.

Revolucioni triumfoi sepse ju patët mençurinë të besonit në forcën e lëvizjes paqësore. U provokuat me dhjetëra herë, se në fakt PD-në ju e themeluat. Shqiptarët ju lartësuan dhe ju quajtën me të drejtë engjëjt e demokracisë. Ju u shpërndatë në katër anët për të themeluar PD-në, ju i sollët Shqipërisë pluralizmin. Të gjitha këto, ju i realizuat në lëvizje paqësore. Edhe kur u vërsulën me plumba, me banda të Sigurimit në antimitingjet e tyre, ju vazhduat programin tuaj,” tha Berisha.

Sipas tij, ky revolucion ishte revolucion për vokacionin perëndimor të kombit

“Lëvizja juaj paqësore ishte një revolucion i jashtëzakonshëm. Ndalem këtu për disa arsye! Para se ju të mendonit të rrëmbenit armët, ju vendosët vetëflijimin në një akt madhështor sa vetë historia. U ngujuat për të shpëtuar universitetin tuaj dhe shqiptarët nga kulti i satanit të Enver Hoxhës. U ngujuat në një grevë me vendosmëri ekstreme dhe ia dolët që Shqipëria të vërshojë drejt jush dhe të përmbysë bustin e diktatorit.  Ky revolucion njohu uljet dhe ngritjet, por përmbysi me votën e lirë diktaturën staliniste. 

Cilat ishin tiparet e revolucionit që ju bëtë dhe drejtuat? Ishin të ngjashme me revolucione të tjera të vendeve ish-komuniste, por edhe dallonin me shumë prej tyre. Të gjitha ishin revolucione që përmbysën klikat komuniste, por asnjë vend tjetër, asnjë rini tjetër, asnjë revolucion tjetër nuk operoi si ne në kushtet e një izolimi të plotë dhe total.

Disidencat kalonin nga njëri vend në tjetrin, lëvizjet ndiqnin njëra-tjetrën në vendet lindore, kurse në Shqipëri, pasi përcolli kryengritësit e 2 korrikut nëpër botë, Ramiz Alia arriti të rivendosë përsëri Perden e Hekurt. Pra, ishte një revolucion në kushtet e një izolimi të plotë.

Ky revolucion ishte revolucion për vokacionin perëndimor të kombit. Kombet e tjera, sado që në diktaturë nuk kishin njohur izolimin që njohën shqiptarët, nuk u shkëputën nga qytetërimi evropian, pati kufizime, por jo shkëputje. Kishte prej tyre që lëviznin pa viza ose me një sistem fare liberal vizash. Kurse në Shqipëri, viza ishte tmerr dhe ferr.

Pra, në kushtet tona, ne ia dolëm të çajmë edhe këtë izolim. Ne ia dolëm me ato parime të ecim drejt të ardhmes. Flamujt që valëvitëm në 90-tën ishte flamur amerikan, parullat e studentëve ishin ‘Xhorxh Bush’”.