VIDEO/ Babai vrau djalin, kryeplaku: Viktima pinte, shtëpia ishte gjithë gjak

Adriatik Lilo, kryeplaku i fshatit Zvezdë në Maliq, ka folur mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë ku Shefki Bylykbashi, 77 vjeç, vrau djalin e tij Hamdi Bylykbashi, 50 vjeç.

Kryeplaku i fshatit shprehet se djali kishte dy vite që ishte kthyer nga Franca dhe që prej asaj kohe ishte i varur nga alkooli.

“Ishte një gjë e çastit. Ka qenë një familje e rregullt. Familje e mirë, të respektuar në të gjithë fshatin. Ai djali ka qenë i divorcuar. Ishte në Francë, kishte rreth dy vite që ishte kthyer. E kishte kaluar pak me alkoolin. Nuk kishin probleme. Të arrinte deri në këtë fazë të tillë nuk e besonte askush. Kur vij unë më thanë ra nga shkallët. Askush nuk jepte shpjegim. Babai ka kaluar sklerozë. Më thanë se para pak ditësh, djali kishte bërë atë vaksinën kundër alkoolit, por sërish pinte”, u shpreh Adriatik Lilo.

"Pijen e kishte rënduar, mbase dhe ndarja, larg fëmijëve. Unë isha në punë kur më morën në telefon, një djalë nga fshati që punon me makinë dhe më thanë që e kishin lajmëruar për të çuar djalin në spital. E kishte marrë familja, i kishte thënë hajde se kemi djalin, i ka rënë murit me kokë i dehur dhe duam ta çojmë në spital. Kishte vajtur ky e kishte parë gjak gjithë shtëpia dhe iu kishte thënë s’mund ta fus në makinë, lajmëroni ambulancën. Më merr mua në telefon të lajmëroja ambulancën se djali i Shefkiut i ka rënë murit me kokë dhe është shumë keq. I bie unë ambulancës, vjen ambulanca e merr, në spital deklaruan se ndërroi jetë. Kishte qenë gjallë kur e ka marrë ambulanca”, tha kryetari i fshatit.