Turqi – Siri: Mbi 45 mijë të vdekur nga tërmetet

Më shumë se 45,000 njerëz kanë vdekur në tërmetin që goditi Turqinë dhe Sirinë dhe numri pritet të rritet në mënyrë dramatike pasi 264,000 apartamente janë shkatërruar në Turqi dhe shumë njerëz janë ende të zhdukur në fatkeqësinë më të rëndë në historinë moderne të vendit.

Njëmbëdhjetë ditë pas tërmetit vdekjeprurës, tre të mbijetuar u liruan dje, të premten, nga rrënojat e ndërtesave në Turqi. 

Numri i të vdekurve në vend mbetet në 39,672, ndërsa në Sirinë fqinje janë raportuar mbi 5,800 vdekje. 

Numri në Siri mbetet i njëjtë prej ditësh.
 

Dje në xhamitë në mbarë botën u falen lutjet përkujtimore për të vdekurit e tërmetit në të dy vendet, për shumë prej të cilëve nuk ka qenë e mundur të ndiqen ritet e plota të varrimit duke pasur parasysh përmasat e fatkeqësisë.

Edhe pse shumë ekipe ndërkombëtare të shpëtimit janë larguar nga zona e gjerë e tërmetit, ekipet vendase vazhduan të kërkojnë sot ndërtesat e rrafshuara, me shpresën për të gjetur njerëz të tjerë që mund të kenë arritur të qëndrojnë gjallë përtej çdo pritshmërie. 

Sipas ekspertëve, shumica e shpëtimit ndodhin në 24 orët pas një tërmeti.

Hakan Yasinoglu, rreth 40 vjeç, u shpëtua në provincën Hatay të Turqisë jugore 278 orë pas tërmetit 7.8 ballë që goditi më 6 shkurt, sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Stambollit.

Më herët, 14-vjeçari Osman Halebiye dhe 34-vjeçari Mustafa Avci u shpëtuan në Antakya (Antioki), Turqi. 

Gjatë transportit, Avtsi ka komunikuar me video-telefonatë me prindërit e tij, të cilët i kanë treguar foshnjën e porsalindur.

“Kisha humbur plotësisht çdo shpresë. Është një mrekulli e vërtetë. Më kthyen djalin tim. Pashë rrënojat dhe mendova se askush nuk do të dilte i gjallë prej andej”, tha babai i tij.

Avtsi , i rraskapitur, më vonë takoi gruan e tij Bilge dhe vajzën Almile në një spital në Mersin. 

Organizatat e ndihmës vënë në dukje se të mbijetuarit do të kenë nevojë për ndihmë për muaj të tërë pasi shumë infrastruktura të rëndësishme janë shkatërruar.