Dalin FOTOT/ U vra nga babai me çekiç, viktima ishte ndarë nga gruaja dhe...

Këta janë babë e bir, Shefki dhe Hamdi Bylykbashi nga fshati Zvezdë i Maliqit. 77-vjeçari vrau djalin e tij me çekiç ditën e djeshme pas një konflikti të fortë mes tyre.

Viktima Hamdi Bylykbashi ishte ndarë prej disa kohësh nga gruaja dhe pas kësaj ishte kthyer në përdorues të pijeve alkoolike.

Banorët kanë thënë se ai jetonte në Francë bashkë me familjen, por ishte kthyer pak kohë më parë pas disa mosmarrëveshjeve.

“Jetonte në Francë bashkë me familjen dhe ka pak kohë që është kthyer. Mosmarrëveshjet me familjen e tij kanë bërë që të kthehet në vendlindje. Kishte 2 fëmijë. Nuk kishin konflikte me parë”, ka thënë një banor.

Policia njoftoi se ka mundur të zbardhë ngjarjen ku humbi jetën 50-vjeçari Hamdi Bylykbashi pasditen e së premtes. Uniformat blu thonë se ai është vrarë nga babai i tij, Shefki Bylykbashi.

Të premten, policia njoftoi se 50-vjeçari nga fshati Zvezdë u dërgua në spitalin e Korcës pa shenja jete. Familjarët e tij kanë deklaruar se ai, duke qenë në gjendje të dehur ishte rrëzuar aksidentalisht në banesë dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë.

Por pas hetimeve të thelluara rezultoi se ai ishte vrarë. Autor i vrasjes dyshohet të jetë babai i tij, Shefkiu, 77 vjeç. Viktima ka qenë në gjendje të dehur dhe është konfliktuar në shtëpi me babain.

Pas sherrit, ka dashur ta hedhë të atin në pusin e ujit në oborr. Për pasojë 77-vjeçari e ka goditur disa herë në kokë me një çekiç që e përdorte për të thyer gurë. Për shkak të dëmtimeve, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit në spitalin e Korçës.

Policia thotë se ka arrestuar babain 77-vjeçar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.