‘Çaushesku u vra nga rusët për shërbimin, aty fitoi nomenklatura’

Kryetari i opozitës shqiptare, Sali Berisha, deklaroi një ditë më parë se revolucioni paqësor fiton gjithmonë.

Ai tha se në vendet ish-komuniste, vetëm një revolucion u bë me dhunë, por aty fitoi nomenklatura.

Duke iu referuar Rumanisë, Berisha tha se Nikola Çausheskun në fakt e vranë rusët.

“E vërteta është se revolucioni demokratik paqësor, gjithnjë fiton nëse persiston dhe udhëhiqet. Unë nuk e di ndonjë që ka dështuar. Natyrisht do kohën e tij, momentin e tij të fitores, etj., me radhë, por fiton.

Në këtë kontekst, unë prapë e them këtu; si një person që pata fatin të jem në udhëheqje të PD-së, të revolucionit në vitet 1990-91, në atë periudhë e kam konsideruar mision kryesor, jo veç përmbysjen, por përmbysjen paqësore. Unë e kuptoj se këtu ka shumë kritika për këtë, por të gjithë atyre që bëjnë kritika u them të lexojnë.

Një revolucion nga të gjitha revolucionet e ish-vendeve komuniste u bë me dhunë, aty fitoi nomenklatura. Çausheskun e vranë rusët, për arsye të sigurta. Ai ishte diktator dhe një shërbim kishte bërë dhe rusët e vranë për shërbimin që kishte bërë.

U shfrytëzua ajo, u vranë 1 mijë e ca vetë edhe më shumë dhe në fund erdhi ish-sekretari ideologjik i Partisë Punëtore Rumune. Nuk është se fituan ata që u ngritën kundër, jo.

Kështu që unë i mbetem besnik rrugës paqësore. Unë e konsideroj këtë rrugë fitimtare dhe të domosdoshme,” tha Berisha.