Studiuesi: Serbia të mbyllë ciklin e zisë dhe të heqë dorë zyrtarisht nga Kosova, ky do ishte akti i madh final!
Profesori i Universitetit të Parisit, Nezir Kraki tha për Syri Tv me Armela Ferkon se 'kapak' dialogut Prishtinë-Beograd do t'i vendoste Serbia nëse pranon realitetin në Ballkan dhe heq dorë zyrtarisht nga pretendimet mbi Kosovën.
Në një lidhje me skype për edicionin e orës 19:00, Kraki tha se mund të mos ketë njohje de jure të Kosovës nga Beogradi edhe 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë, por Serbia duhet të pranojë realitetin dhe t'i japë fund ciklit të zisë atje.
Sipas tij, ky do të ishte akti final i marrëveshjes së shumëpërfolur mes dy vendeve.
"Çështja kryesore është pranimi nga Serbia i realitet politik në ballkan dhe heqja dorë zyrtarisht, edhe nëse s'ka njohje de jure të Kosovës si shtet, veç pranimi i realitetit dhe mbyllja e ciklit të zisë në Serbi, ky do të ishte sipas meje akti final i madh i sqarimeve të mëdha. Do të ketë diskutime se në çfarë forme do të zgjerohet nëse kështu kërkohet, vetëmenaxhimi politik në nivel lokal i serbëve të Kosovës, është mirë që togfjalëshi vetëmenaxhim apo vetëqeverisje është futur në diskursin e aleatëve dhe ndërmjetësuesve dhe është duke zëvendësuar gradualisht togfjalëshin asociacioni i komunave me shumicë serbe. Duhet të dalim nga konotacioni puro etnik dhe gjeografik dhe të shkojmë drejt asaj kuptimit të vërtetë të nevojave që një pakicë mund të ketë për liri më të mëdha në menaxhimin e gjërave të jetës së përditshme si arsimi, shëndetësia, plani urbanistik etj. Akti i cili është si kapak nën të cilin tani mund të zhvillohen çdo lloj bisedimesh është pranimi nga ana e Serbisë i realitetit dhe heqja dorë nga pretendimi mbi Kosovën", u shpreh politologu Nezir Kraki.