Policia te biznesi i Shehajt/ Meta: Qëllimi, intimidimi i deputetit! Rama të heqë dorë

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar pas denoncimit në media për sumin e katërt të Policisë së Shtetit në biznesin e deputetit të PD-së Agron Shehaj.

Në postimin e tij në Facebook, Meta i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të heqë dorë urgjentisht nga sulmet e paligjshme ndaj bizneseve të ndershme.

‘Ndërkohë që shpall ministrat e tij si "investitorë strategjikë" dhe u fal gjobat e taksat e shqiptarëve oligarkëve dhe klientëve të tij, për herë të katërt, pa asnjë urdhër dhe pa vendim gjykate, falangat e Policisë së "Rilindjes" terrorizojnë bizneset e deputetit të PD, Agron Shehaj me qëllim për të intimiduar dhe shantazhuar një zë kurajoz të opozitës’, shkruan Meta.

Postimi i plotë:

Sulmet politike dhe terrori policesk i Edi Ramës kundër bizneseve të ndershme, të identifikuara nga patronazhistët si mbështetëse të opozitës janë një tjetër dëshmi e arbitraritetit dhe paligjshmërisë të bandës së "Rilindjes".

Ndërkohë që shpall ministrat e tij si "investitorë strategjikë" dhe u fal gjobat e taksat e shqiptarëve oligarkëve dhe klientëve të tij, për herë të katërt, pa asnjë urdhër dhe pa vendim gjykate, falangat e Policisë së "Rilindjes" terrorizojnë bizneset e deputetit të PD, Agron Shehaj me qëllim për të intimiduar dhe shantazhuar një zë kurajoz të opozitës.

Duke dënuar me forcë këtë sjellje arbitrare të përsëritur, i bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë urgjentisht nga sulmet e paligjshme ndaj bizneseve të ndershme.

Të vendosur në betejën për mbrojtjen e interesit qytetar, të bizneseve të ndershme dhe shporrjen me çdo çmim të këtij regjimi mafioz! ✌️??