Instalacion 4 mln euro në Kryeministri, reagon PD: Tallje e hapur me shqiptarët, Rama i humbur në lajthitjet e veta
Zëdhënësja e PD, Floriana Garo denoncoi sot publikisht, abuzimin më të fundit të kryeministrit Edi Rama me financat e shtetit, 4 milionë euro nga taksat për një instalacion që do ta vendosë në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë. Znj. Garo theksoi se "kryeministri normal i një vendi normal, gjëja e fundit që bën janë shpenzimet e luksit, aq më shumë kur në dhjetë vitet e menaxhimit të shtetit, i ka ikur nga atdheu 1/3 e popullisë."
" I mbiquajtur “kopështi i Parajsës”, përveç kostos së pajustifkuar, është edhe një tallje e hapur me shqiptarët, - vërejti zëdhënësja e PD. - Për kujtesë, ajo që Rama e quante “Pakoja e madhe” dhe do të ndahej mes 1 milionë shqiptarëve, ka nxjerrë nga arka e shtetit 8 milionë euro. Për një kopësht që e sheh vetëm kryeministri dhe grupi i afërt i tij, rreth 20 vetë në ditë, janë derdhur 4 milionë euro.
E kemi thënë e stërthënë, - u tha më tej, - se Edi Rama jeton në një botë paralele, ku nuk ka shqiptarë. Kryeministri normal i një vendi normal nuk do të shpenzonte kurrë 4 milionë euro për një instalacion, një tekë të vetën, të cilën ai do ta fotografojë dhe postojë në rrjete sociale si Rilindje urbane.
Kryeministri normal i një vendi normal, nuk do ta luftonte inflacionin me një paketë 8 milionë euro dhe gjysmën e kësaj shume ta shpenzonte për pasditet e tij dhe të stafit, nën hijen e pemëve kacavjerrëse.
Kryeministri normal i një vendi normal, gjëja e fundit që bën janë shpenzimet e luksit, aq më shumë kur në 10 vitet e menaxhimit të shtetit, i ka ikur nga atdheu 1/3 e popullisë.
Kryeministri normal i një vendi normal, nuk e ndan shtetin me të njëjtët oligarkë, si ata, me të cilët bën rrugë, kopshte fëmijësh apo kopështe lulesh, sic e dëshmon edhe “Parajsa” që ka vendosur të bëjë në oborrin e tij, me Fushën e përhershëm, të abuzimeve të zakonshme.
Kryeministri normal i një vendi normal nuk e trajton arkën e shtetit, pasurinë e përbashkët të qytetarëve si konton e vet personale. Kryeministri normal i një vendi normal, e ndërton shtetin nga brenda dhe nuk e vesh nga jashtë me lajle lulet e kotësisë. Ky nuk është shtetndërtim, por mumifikim.
Shqipëria nuk mund t’i lihet më gjatë Edi Ramës. Ai ka humbur në kopshtin e harlisur të lajthitjeve të veta. Shqipërisë duhet t’i dalim zot, sepse ajo nuk është as e një partie dhe as e një njeriu, është e të gjithë shqiptarëve!"