Moldavi, betohet qeveria e re pro-perëndimore
Qeveria e re e Moldavisë, e udhëhequr nga ekonomisti pro-perëndimor, Dorin Recean, u betua të enjten pasi mori miratimin nga parlamenti.
Të gjithë ligjvënësit e pranishëm nga Partia e Veprimit dhe Solidaritetit në pushtet të Moldavisë, e cila ka 63 vende ndër 101, votuan në favor të qeverisë së Recean. Njëri mungonte. Partitë miqësore me Moskën, komunistët dhe socialistët, që kanë 31 vende, abstenuan nga votimi dhe 6 ligjvënësit e Partisë Shor bojkotuan votimin.
Duke premtuar siguri dhe zhvillim ekonomik, kryeministri i ri ka një detyrë të vështirë përpara. Kabineti i sapoformuar ngrihet në një moment ndërkombëtar të tensionuar politik dhe në mes të një shqetësimi publik për luftën e Rusisë në Ukrainën fqinje.
Moldavia është një ish-republikë sovjetike që ka kufij me Ukrainën dhe Rumaninë, anëtare të BE-së dhe ka një popullsi prej 2.5 milionë banorësh.
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, i ngarkoi kryeministrit të ri dhe kabinetit të tij detyrën për ta mbajtur Moldavinë në “botën e vendeve të lira”.
“Detyra e qeverisë së re është të japë siguri për qytetarët dhe ta vendosë Republikën e Moldavisë në rrugën e rindërtimit dhe zhvillimit, pavarësisht nga krizat,” tha ajo.
“Ne kemi nevojë për hapa vendimtarë për të forcuar sigurinë e vendit. Lufta në Ukrainë vazhdon dhe kjo luftë mbart rreziqe për ne”.
Në moshën 48-vjeçare, Dorin Recean u emërua për të zëvendësuar Natalia Gavrilita e cila dha dorëheqjen pas 18 muajsh në detyrë.
Në fjalimin e tij në parlament, Recean theksoi se donte të përmirësonte jetën e popullit moldav.
"Objektivi është zbatimi i vizionit të zhvillimit, krijuar nga {residentja Maia Sandu. Prioritet është futja e efiçencës dhe e rendit dhe që shërbimet publike të jenë sa më afër qytetarëve. Qeveria që unë synoj të drejtoj do të fokusohet në zhvillimin ekonomik". tha ai.
Recean gjithashtu theksoi se vendi do të vazhdojë të përballet me probleme energjetike dhe krijoi një ministri të posaçme për të investuar në atë sektor.