Presidentja Vjosa Osmani ka përgjigje të prerë për bashkimin kombëtar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë për median katalonase “El Periodico” ku ka folur për shumë tema rreth shtetit tonë në prag të Ditës së Pavarësisë.

Osmani, që në zgjedhjet e fundit garoi si numri 2 në listën e VV-së dhe u bë njeriu më i votuar në histori të Kosovës, foli edhe për një temë për të cilën subjekti në listën e të cilit garoi e proklamon shumë. 

Ajo temë është bashkimi kombëtar.

Kur u pyet nga gazetarja e “El Periodico” rreth kësaj teme, ajo tha se e sheh shpalljen e pavarësisë së Kosovës si fillimin dhe fundin e gjithçkaje.

“Ne kemi sakrifikuar dhe punuar për një Kosovë të pavarur dhe sovrane dhe puna ime do të vazhdojë t’i kushtohet vetëm Kosovës së pavarur dhe sovrane. Shpallja e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës janë fillimi dhe fundi i gjithçkaje që bëj”, tha Osmani.