Vasili: Shiheni si PS protestonte me sirena e bilbilë në Kuvend, po nuk u përjashtuan dhjetëra deputetë
Deputeti i PL, Petrit Vasili, ka debatuar me nënkryetaren e Kuvendit, Ermonela Felajn në sallën e parlamentit, ndërkohë që jashtë godinës vazhdon protesta e kolegëve të tij demokratë që janë përjashtuar nga seancat.
Vasali e ka akuzuar Felajn për dy standarde ndaj protestave të deputetëve të opozitës në Kuvend dhe i tregoi një video, ku dikur brenda në seancë, mazhoranca e sotme protestonte me sirena, bilbilë dhe tambure e megjithatë, nuk përjashtoheshin dhjetëra deputetë.
Vasili tha se e gjithë seanca sot ka filluar në parregullsi të plotë. “Ju e keni hapur seancën në orën 11 pa 20. Seanca hapet në orën 10. I gjithë ky manipulim është bërë në mënyrë që kolegët të mos hynin në sallë dhe për këtë ju mbani përgjegjësi dhe nuk mund ta vazhdoni këtë seancë që e keni manipuluar pa filluar.
Së dyti, nuk është pronare, Kryetarja e Kuvendit për pyetjet e deputetëve. Ju nuk mund të vazhdoni sikur nuk ka ndodhur asnjë, ju mund ta bëni, sepse nuk keni asnjë problem, ju nuk keni autoritet të veçantë , ju jeni zëvendësuese apo bedeli i radhës, sepse kryetarja nuk vjen dhe në këtë pikëpamje ky standard nuk mund të vendoset kurrën e kurrës.
Sa për pretendimet tuaja se do të mbani standardin e rregullores, këtu keni (i hap videon) nëse i dëgjoni, cilat kanë qenë boritë, sirenat dhe gjithë të tjerat që ka aplikuar mazhoranca dje në opozitë.
Ja kjo, me sirena, me bori, me bilbila e me të tjera. Apo ka dy standarde?! Kur jemi në mazhorancë e duhet të mbajmë pushtetin, bilbili është faj, kur jemi në opozitë dhe jemi vetë, bilbili është meritë!!! Dhe po ju kujtoj se atë kohë nuk përjashtoheshin 18 apo 20 deputetë. Apo ju keni standardin tuaj?!” ironizoi, Vasili.