Gjermania do të dërgojë në Ukrainë ‘gjysmë batalioni’ tanke

Gjermania tha se do të dërgojë në Ukrainë “gjysmë batalioni” tanke Leopard 2, përderisa aleatët e NATO-s duket se po vazhdojnë të punojnë për të siguruar makina të rënda që janë zotuar se do t’i dërgojnë Kievit.

Berlini tha muajin e kaluar se synon të dërgojë rreth 30 tanke për të ndihmuar forcat ukrainase që të luftojnë pushtimin rus, pasi Gjermania u përball me presion nga Kievi dhe mbështetësit e tij që të japë dritën jeshile për lejimin e dërgimit të tankeve.

Por, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pas takimit me homologët e tij të NATO-s në Bruksel, tha se deri më tani kanë mbledhur vetëm 14 tanke të reja Leopard të llojit A6, dhe tre nga Portugalia.

“Le të jemi të qartë: Ne nuk kemi arritur të grumbullojmë një batalion. Ne do të ofrojmë gjysmë batalioni”, tha ai.

“Sa i përket Leopardëve gjermanë, dua të them edhe një herë se tanket tona do të dërgohen në javën e fundit të marsit. Kjo është e sigurt”, shtoi ai.