Protesta/ Shehu: Parlamentarizmi në rrezik, përjashtuan deputetët e PD që Rama ta ketë 'fushën e lirë'

Tritan Shehu, deputeti i PD, deklaroi se protesta që është thirrur para parlamentit sot ka për qëllim të shprehë indinjatën ndaj veprimeve absurde që po bëhen për të shkatërruar parlamentarizmin shqiptar dhe dëshmia më e fundit  është përjashtimi i deputetëve të opozitës nga seanca për t’i lënë “fushë të lirë” kryeministrit Edi Rama që të mos japë llogari për aferën McGonigal.

I ftuar në emisionin Kafe Shqeto te SYRI TV sot, Shehu tha:

“Sot do të ketë një protestë tjetër përpara parlamentit, një protestë të fuqishme. Pse para Parlamentit?! Sepse parlamenti është tempulli i demokracisë. Parlamenti është roja i demokracisë, parlamenti është vendi ku diskutohet, ku rrihen mendimet, ku debatohet edhe me forcën, me forcën e energjive të njeriut, po ama ngel i tillë, por parlamenti sot është në rrezik.

Sot nga parlamenti janë përjashtuar një numër i madh deputetë të opozitës. Nuk do të jenë. Pse?! Sepse thuhet se do të vijë Rama sot dhe duhet të ketë “fushën e lirë” që të mos ketë deputetë të opozitës brenda parlamentit shqiptar, që opozitën brenda parlamentit ta zgjedhë Rama.

Njerëzit do të jenë rreth e qark, e gjykojnë ata, e vendosin ata se si do të veprohet, pra, do të jetë një prezencë protestuesish, masë njerëzish,  deputetë të PD pikërisht para parlamentit për të shprehur këto indinjata të thella dhe për të dënuar këto veprime absurde që po bëhen me parlametarizmin shqiptar duke e shkatërruar atë. Ky është një proces që ka filluar, një lëvizje popullore, që do të vazhdojë, do të vazhdojë në rritje , e sotmja dhe kështu do të jenë edhe të tjerat në ditët në vazhdim.

Dua të theksoj se PD është parti demokratike, e cila që ka zbatuar gjithmonë metoda demokratike, dhe në momentet më të vështira të jetës së saj, siç ka qenë 1997-a, siç ka qenë shkurti 1991. Gjithmonë  PD –ja ka fituar me metoda demokratike,” theksoi Tritan Shehu.