SHBA, rrëzimi i trenit me kimikate toksike në Ohio tërbon banorët, frikë dhe zemërim

Banorët e zemëruar, të frikësuar dhe të frustruar të qytetit të përgjumur të East Palestine në Ohio nuk morën ndonjë përgjigje të saktë pas një takimi të tensionuar me zyrtarët të mërkurën.

Pjesa më e madhe e zemërimit u drejtua te kompania hekurudhore Norfolk Southern, treni i së cilës që transportonte kimikate toksike doli nga shinat 13 ditë më parë kur po kalonte nëpër qytet, duke shkaktuar një zjarr të madh.

Përfaqësuesit e kompanisë u tërhoqën vetëm disa orë para fillimit të takimit, duke përmendur shqetësimet e sigurisë.

Pas daljes nga shinat, ekuipazhet e emergjencës kryen një çlirim të kontrolluar të klorurit të vinilit nga pesë vagona hekurudhore që ishin në rrezik shpërthimi. Shtylla të dendura tymi të zi u ngritën mbi qytet, por ekipet që monitoronin cilësinë e ajrit u përpoqën të siguronin vendasit se gjithçka po shkonte siç ishte planifikuar.

Pavarësisht atyre garancive nga zyrtarët, shumë banorë thonë se vazhduan të frikësoheshin nga dëmet e mundshme, të cilat ata thonë se kishin ndikuar njësoj te njerëzit dhe kafshët e egra.

Mijëra peshq të ngordhur janë shfaqur në përrenjtë e qytetit, ndërsa njerëzit thanë për mediat lokale se pulat e tyre kishin ngordhur papritur dhe se kafshët e tyre shtëpiake ishin sëmurë.

Shumë prej tyre kanë hasur vështirësi për të analizuar ujin, duke nxitur mosbesimin në atë që ata e shohin si një përgjigje joefektive dhe joadekuate ndaj krizës.

Nën banderolat dhe muralet e një gjimnazi të shkollës së mesme, qindra banorë bombarduan zyrtarët me pyetje të përsëritura - dhe herë pas here të mbushura me sharje - rreth cilësisë së ajrit dhe ujit.

"Jam po aq i frustruar. Unë jetoj në komunitet, ashtu si ju," tha kryetari i bashkisë së East Palestine, z.Trent Conaëay, me një lodhje të dukshme në fytyrën e tij. "Po mundohem të marr përgjigje."

Vetëm disa orë para takimit, Norfolk Southern njoftoi se nuk do të merrte pjesë.

Në një deklaratë, kompania tha se ishte "gjithnjë e më shumë e shqetësuar për kërcënimin fizik në rritje" për punonjësit e saj për shkak të gjasave që "palëtë tjera" mund të marrin pjesë.