'Shuplaka' e BE për amnistinë/ Meta: Rama po e kthen Shqipërinë në parajsë fiskale të krimit të organizuar

Brukseli iu përgjigj ashpër insistimit të qeverisë shqiptare për të mos hequr dorë nga amnistia fiskale. 

Bashkimi Europian njoftoi se do të vendosë Shqipërinë në listën e vendeve nën monitorim për mosbashkëpunim fiskal. 

Lidhur me këtë hap pas të Tiranës në rrugën e integrimit, ka reaguar kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. 

Ish-kreu i shtetit shkruan në një postim në rrjetet sociale se vendi ndodhej prej vitesh nën monitorimin e pastrimit të parave, tashmë përfshihemi dhe në listen e vendeve me regjim të dyshimtë fiskal. 

Meta akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e kthen Shqipërinë në parajsë fiskale të krimit të organizuar nëpërmjet miratimit të një sërë ligjeve që kanë vetëm për qëllim futjen e parasë së pisët në çdo sektor të ekonomisë. 

Reagimi i Metës
Vendimi i Bashkimit Europian për të rikthyer Shqipërinë në listën e vendeve në monitorim për çështje fiskale është një tjetër goditje shumë e rëndë për Edi Ramën dhe Qeverinë e tij të korruptuar, të aferave dhe skandaleve të panumërta financiare. Ndërkohë që Shqipëria ndodhet prej disa vitesh në listën e vendeve nën monitorim për pastrimin e parave, tashmë përfshihemi dhe në listen e vendeve me regjim të dyshimtë fiskal. 

Edi Rama e ka zhytur vendin në paligjshmëri totale duke e shndërruar Shqipërinë në parajsën fiskale të krimit të organizuar vendas e ndërkombëtar nëpërmjet miratimit të një sërë ligjeve që kanë vetëm për qëllim futjen e parasë së pisët në çdo sektor të ekonomisë. Edhe tentativa skandaloze e Edi Ramës për pastrimin e parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar nëpërmjet "Amnistisë Fiskale" është një nga arsyet kryesore të këtij vendimi të BE, që dekurajon rëndë afrimin e investimeve të huaja serioze në Shqipëri. 

Në dhjetë vite, Kryeministri në largim dështoi totalisht në konsolidimin e një administrate tatimore moderne dhe minoi me qëllim përpjekjet kundër krimit dhe korrupsionit duke dobësuar efikasitetin e mekanizmave shtetërore, që luftojnë paranë e pisët. Vetëm largimi i Edi Ramës e rikthen ekonominë në shinat e ligjit dhe sjell investime të huaja dhe vendase serioze duke siguruar kështu një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të ekonomisë, që prodhon mirëqenie për qytetarët dhe ndalon shpopullimin dramatik!