Aksidentohet autobusi me emigrant, të paktën 39 viktima
Të paktën 39 persona humbën jetën në një aksident rrugor në Panama, kur një autobus që transportonte 60 emigrantë doli nga rruga dhe ra nga një lartësi e madhe.
Sipas autoriteteve të emigracionit, ngjarja u regjistrua në Darien Gap, ndërsa autobusi me klandestinë kalonte në rrugët e rrezikshme të xhunglës që lidhin Kolumbinë me Amerikën Qendrore, për të shmangur kontrollet, deri në kampin e Chiriqui, në kufi me Kosta Rikën.
Përplasja raportohet të ketë qenë tepër e fortë, ndërkohë që pjesa tjetër e emigrantëve ndodhen në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Deri në këto momente ende nuk dihet kombësia e emigrantëve të aksidentuar.