Këlliçi, takime sy më sy me njerëzit e thjeshtë: Veliaj nuk del dot në qytet pa badigardë dhe kamera!

Belind Këlliçi, kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, tha sot se fshatrat e Tiranës mund të jenë fshatrat me më pak investime në të gjithë Shqipërinë. Këtë konkluzion ai e ka nxjerrë nga dëgjesat që ka nisur me qytetarët e Tiranës, nga takimet e përditshme me ta. Po ashtu, ai evidentoi një nga dobësitë më të mëdha të kundërshtarit të tij politik, të kryebashkiakut socialist Erion Veliaj: humbjen e lidhjes me njerëzit, me realitetin.  

Këlliçi ishte i ftuar këtë mëngjes në emisionin “ Kafe Shqeto” dhe gjatë intervistës  me Skype, u shfaq nga shtëpia e tij dhe jo nga zyra.

Këlliçi i kërkoi ndjesë me humor po aq edhe me seriozitet, gazetarëve Flavio Qarri dhe Ola Bregu për arsyen pse ndodhej ende në shtëpi. “Po pres të vijë uji”, tha Këlliçi, i prekur edhe ai si mijëra banorë të kryeqytetit që nuk kanë furnizim 24 orë.

Flavio e nisi bashkëbisedimin me Këlliçin, duke e pyetur pse kundërshtari Veliaj nuk po bën fushatë në terren.

“Kam përshtypjen se Veliaj nuk del dot në terren, - shpjegoi Këlliçi, -  nuk del dot të ecë në qytet, nuk del dot në një aktivitet të painskenuar, të paorganizuar, i pashoqëruar nga disa badigardë, nga kamera dhe fotografë. Kështu që në aspektin tim personal është një nga kënaqësitë më të mëdha që marr gjatë fushatës dhe një nga metodat më të mira të bërit fushatë është kontakti i drejtpërdrejtë.

Kam takuar shumë njerëz deri tani, në ecje, mbi një muaj në terren, do të jem në njësinë nr 5 sot, do të kem aktivitete të tjera pasdite. Është sondazhi më i mirë ai që merr kur takon qytetarët, kur i sheh në sy, kur merr kritikat e tyre padiskutim, por kur në fund të ditës del i çlirët në qytet, del si njeri i lirë dhe takon këdo përpara. Nga pala përballë ju shihni përherë kaseta të montuara, regji, aktivitete të organizuara me porosi dhe gjithçka që prodhohet është një fake news.”

Këlliçi tha se nga ato që ka mësuar nga turi i dëgjimit me qytetarët, ka kuptuar se “ fshati në Tiranë mund të jetë fshati me më pak investime në të gjithë Shqipërinë. Zonat rurale në Tiranë janë tërësisht të lëna në harresë. Problemet që kanë banorët e këtyre zonave janë probleme që i takojnë një periudhe shumë të kaluar, i takojnë dekadave  të kaluara, por që ende…Në fshat flitet për rrugë, ujë e ndriçim, por për hir të së vërtetës, edhe në qendër të Tiranë problemi kryesor që kanë qytetarët është uji i pijshëm. Ky tur më ka shërbyer për të kuptuar problematikat më të mëdha dhe më reale që kanë qytetarët në përditshmërinë e tyre,” theksoi ai në vazhdim./ar.sh/SYRI.NET