Mbijetoi në shpellë në 2018-ën/ Shuhet djaloshi tajlandez, lajmi trondit botën

Ky lajm po bën shumë bujë jo vetëm në mediat britanike.

Një djalosh, i cili u shpëtua nga shpella në Tajlandë në vitin 2018, pas një operacioni që zgjati 18 ditë dhe që u ndoq me ankth në mbarë planetin, ka humbur jetën në Britaninë e Madhe.

Duangpetch Promthep ishte 18 vjeç, raporton Daily Mail.

Ai ishte mes 12 futbollistëve të vegjël që mbetën të izoluar në një shpellë në Tajlandë në vitin 2018. Historia e tyre dhe operacioni i shpëtimit ishte lajmi kryesor në median globale gjatë asaj kohe.

Shkaku i vdekjes së adoleshentit nuk është bërë akoma i ditur zyrtarisht, por mësohet se ai kishte pësuar një dëmtim në kokë.

Kur ishte 17 vjeç, tajlandezi kishte fituar një bursë për të studiuar në Britani. Në fund të vitit të kaluar ai ishte regjistruar në një akademi futbolli në Leicester. “Sot ëndrra ime po bëhet realitet. Do bëhem një futbollist në Angli,” pati shkruar ai në një postim prekës.

Daily Mail shkruan se adoleshenti ka goditur kokën dhe nuk mundi të shpëtohej.

Promthep ishte kapiteni i ekipit të futbollit të fëmijëve që ngecën në shpellë në Tajlandë. Operacioni i shpëtimit të tyre është një nga ngjarjet më të bujshme në botë. Fëmijët ishin futur në shpellë më 23 qershor 2018, por një stuhi e papritur bëri që sistemi i brendshëm i shpellës të përmbytet nga uji, duke izoluar çdo dalje. Më shumë se 10 mijë persona u përfshinë në operacionin e shpëtimit.