SYRI TV/ Rama përzë kompaninë e pasaportave, PD: Ky është alarm i kuq

Ndonëse shumë rrugë dhe asete shtetërore kanë kaluar në dorë të koncesionarëve, qeveria shqiptare ka vendosur të rishtetëzojë prodhimin e dokumenteve personale. Kështu, me vendim të qeverisë, pas krijimit të e-Albanias, një tjetër shoqëri shtetërore do të bëjë prodhimin e kartave te identitetit dhe pasaportave, duke mos ia rinovuar kontratën kompanisë ALEAT. Vendimin e qeverisë, PD e ka cilësuar si kapitalizëm të ri të një korporate shtetërore komuniste

SYRI TV

Qeveria shqiptare ka urdhëruar kalimin e prodhimit të kartave të identitetit dhe të pasaportave në dorë të një shoqërie shtetërore të krijuar pikërisht për këtë arsye. Vendimi i qeverisë i heq të drejtën e prodhimit të kartave dhe pasaportave kompanisë aktuale ALEAT dhe këtë e kalon në dorë të kompanisë me staf të emëruar nga qeveria.

I gjithë kalimi nga ALEAT në një kompani që do të krijohet rishtas për vijimin e prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit do të bëhet brenda vitit 2023, dhe nisja e punës pritet të jetë gushti ose shtatori i këtij viti.

Mazhoranca socialiste sapo erdhi në pushtet krijoi kompaninë e-Albania, e cila mori në administrim të gjitha të dhënat e shtetasve shqiptarë, kompani e cila u vu në shënjestër të hakerave iranian që publikuan të gjithë të dhënat e shtetasve shqiptar. Kalimi i prodhimit të dokumenteve personale nga privati te shteti do bëhet me anë të krijimit të një shoqërie, e cila si bazë të saj do të ketë një kapital prej 20 milionë lekësh të rinj.

Por ky vendim i qeverisë pak kohë më parë është komentuar nga ana e Partisë Demokratike. Në një deklaratë për media nga zëdhënësja e PD thuhej se: “Shtetëzimi nga Edi Rama dhe Bledi Çuçi i prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit, është hapi i radhës në shndërrimin e kapitalizmit të ri shqiptar në një korporatë shtetërore komuniste”.

Ndër të tjera në reagimin e PD thuhej se: “Kalimi i këtij shërbimi në varësi të administratës së Ramës, pas skandaleve të njëpasnjëshme dhe sidomos pas dështimit me e-Albanian dhe gjithë strukturën e sigurisë kibernetike, është një alarm i kuq për Shqipërinë dhe Evropën”.