Vazhdon të ngrihet numri i të vdekurve nga tërmetet e fuqishme në Turqi e Siri: Mbi 41 mijë

Numri i përgjithshëm i të vdekurve pas tërmeteve në Turqi dhe Siri të 6 shkurtit ka kaluar 41,000 dhe vazhdon të rritet. Shifra vjen më shumë se një javë pas tërmetit vdekjeprurës të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë e përshkroi si fatkeqësinë më të keqe natyrore në 100 vjet, shkruan Euronews.

Pavarësisht kalimit të 'dritares së artë' prej 72 orësh, periudhë në të cilën shpëtimtarët kanë shanset më të mira për të gjetur të mbijetuar, ka ende histori të foshnjave, fëmijëve dhe të rriturve që nxirren të gjallë nga rrënojat.

Turqia

Të martën, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi se më shumë se 35,000 njerëz vdiqën nga tërmeti në Turqi, duke e bërë atë fatkeqësinë më vdekjeprurëse që nga themelimi i vendit 100 vjet më parë. Më parë, rekordi i tmerrshëm mbahej nga tërmeti i Erzincanit i vitit 1939, i cili vrau 33,000 njerëz.

Erdogan vizitoi të mbijetuarit në spital dhe është zotuar të zëvendësojë mijëra shtëpi që u shkatërruan në dhjetë rajone brenda një viti, një premtim që duket i pamundur duke pasur parasysh shkallën e rrënojave në të cilat ende vazhdohet të kërkohet dhe duhen pastruar.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare ishin planifikuar në Turqi për më 14 maj, por duke pasur parasysh pasojat e tërmetit, ka spekulime se ato do të shtyhen nga Presidenti.

Të mbijetuarit e tërmetit kanë mbetur të pastrehë dhe po përpiqen të plotësojnë nevojat bazë, si gjetja e veshjeve, strehimit dhe ushqimit në të ftohtin e ashpër. Gjendja emocionale ienjë tragjedie kaq të madhe po rëndon edhe mbi të mbijetuarit, shumë prej të cilëve kanë humbur anëtarët e familjes dhe miqtë.

Siria

Në Siri, situata është veçanërisht e dëshpëruar. Lufta civile e gjatë një dekade ka komplikuar përpjekjet për ndihmë, krahas kushteve të dimrit dhe një shpërthimi të vazhdueshëm kolere.

Përpara tërmetit në fillim të vitit 2023, OKB-ja zbuloi se rreth 15.3 milionë njerëz në Siri mendohej se kishin nevojë për ndihmë humanitare, një nivel më i lartë i të gjitha kohërave për vendin që po hyn në vitin e tij të 12-të që nga fillimi i armiqësive.

Sanksionet e vendosura ndaj vendit kanë kufizuar rrugët për në vend për punonjësit e ndihmës dhe furnizimet, dhe vonesat në heqjen e përkohshme të tyre ka rezultuar në një reagim të ngadaltë ndaj një situate ku koha është thelbësore.

Të martën, ndihma më në fund arriti në Sirinë e kontrolluar nga rebelët, e cila është prekur në mënyrë disproporcionale në krahasim me zonat e kontrolluara nga qeveria, përmes një kalimi të sapohapur në veriperëndim të vendit.

Që nga 12 shkurti, në Siri janë raportuar të paktën 5,791 njerëz të vrarë, 4,377 prej tyre në Sirinë veri-perëndimore me shumë të bllokuar ende nën rrënoja.