SYRI TV/ Rama largon kompaninë 'ALEAT' nga Shqipëria, kartat dhe pasaportat në dorë të qeverisë

Ndonëse shumë rrugë dhe asete shtetërore kanë kaluar në dorë të koncesionarëve, qeveria shqiptare ka vendosur të rishtetëzojë prodhimin e dokumenteve personale. Kështu me vendim të qeverisë pas krijimit të e-albania një tjetër shoqëri shtetërore do të bëjë prodhimin e kartave te identitetit dhe pasaportave, duke mos ia rinovuar kontratën kompanisë ALEAT. Vendimin e qeverisë PD e ka cilësuar si kapitalizëm të ri të një koorporate shtetërore komuniste.

SYRI TV

Qeveria shqiptare ka urdhëruar kalimin e prodhimit të kartave të identitetit dhe të pasaportave në dorë të një shoqërie shtetërore të krijuar pikërisht për këtë arsye.

Vendimi i qeverisë i heq të drejtën e prodhimit të kartave dhe pasaportave kompanisë aktuale "ALEAT" dhe këtë e kalon në dorë të kompanisë me staf të emëruar nga qeveria.

I gjithë kalimi nga “ALEAT” në një kompani që do të krijohet rishtas për vijimin e prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit do të bëhet brenda vitit 2023, dhe nisja e punës pritet të jetë gushti ose shtatori i këtij viti.

Mazhoranca socialiste sapo erdhi në pushtet krijoi kompaninë e-albania e cila mori në administrim të gjitha të dhënat e shtetasve shqiptarë, kompani e cila u vu në shënjestër të hakerave iranian që publikuan të gjithë të dhënat e shtetasve shqiptar.

Kalimi i prodhimit të dokumenteve personale nga privati tek shteti do bëhet me anë të krijimit të një shoqëri e cila si bazë të saj do të ketë një kapital prej 20 milionë lekësh të rinj.

Por ky vendim i qeverisë pak kohë më parë është komentuar nga ana e Partisë Demokratike.

Në një deklaratë për media nga zëndhënësja e PD thuhej se: "Shtetëzimi nga Edi Rama dhe Bledi Çuçi i prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit, është hapi i radhës në shndërrimin e kapitalizmit të ri shqiptar në një korporatë shtetërore komuniste".

Ndër të tjera në reagimin e PD thuhej se "kalimi i këtij shërbimi në varësi të administratës së Ramës, pas skandaleve të njëpasnjëshme dhe sidomos pas dështimit me e-albania dhe gjithë strukturën e sigurisë kibernetike, është një alarm i kuq për Shqipërinë dhe Europën".