Tensionet e protestës së djeshme përmes syve të fotoreporterit Felix Bilani

Felix Bilani fotoreporter, njëkohësisht fotograf në protestën e djeshme para Parlamentit, i ftuar ditën e stome në 'A Show' me Adi Krastën, solli edhe njëherë në vëmendje të të gjithëve momente nga protesta e djeshme.

Bilani u shpreh se sipas tij Forcat e Policisë ishin të angazhuara më shumë seç ishte nevoja pasi protesta ishte qartazi paqësore.

“Masat e Policisë ishin ekstreme dhe ata prinsin që të ndodhte diçka sepse unë 30 vjet masa të tilla nuk kam parë ndonjëherë. Siç e shikon dhe nga foto ishin dy rreshta policësh përveç të tjerëve që ndodhen nga krahu tjetër dhe Forcat Speciale, pritej diçka por nga kush?

Sepse kjo është ajo që mua më habit. Pse duhet të angazhohej pothuajse gjithë Policia e Shtetit për një grup njerëzish që nuk kishin as në mend të bënin gjë” u shpreh Bilani.

Ndërsa në lidhje me foton ku duket qartë që deputeti Boçi shtyhet nga trupat e Policisë, Bilani u përgjigj:

Unë mund të kem qenë rreth dy metër e gjysmë- tre metër distancë, por ajo çfarë më tërhoqi më shumë duke njohur Luçianon, ishte reagimi i tij, pasi ai njihet si një njeri i qetë.

Reagimi i tij që tregon se Policia nuk mund të prekë një deputet. Mirë apo keq ai është një njeri me një mandat. Dhe un nuk di që Boçi të ketë reaguar kundër Policisë.

Ishte një moment që doli nga Parlamenti kaloi mes për mes Policisë, dhe po rrinte afër policisë, dhe nuk e di çfarë ndodhi që polici e preku dhe e shtyu deputetin. Ky ishte problemi që turma reagoi egër.

Por si e përjetoi këtë moment tensioni fotografi Bilani?

“Do thoja duhet që në protesta protestuesit shajnë e flasin... por kjo nuk do thotë që policia duhet të kundërvihet duke vënë përpara policët me skafandra, gjë që irriton turmën dhe për mua, çfarë irritimi mund të jetë ky kur qytetari thjeshtë ka vënë dorën mbi mburojën e policit?!

Ka diçka që nuk shkon në këtë gjë, mua më duket show policesk.”

Një mace me gëzof të bardhë dhe mjaft e qetë që qëndronte shumë pak para trupave të Policisë, që dukej sikur tregonte mbi një botë paralele, ishte një tjetër foto pikante shkëputur nga protesta e djeshme, për të cilën Bilani u shpreh:

Dy janë gjërat që më erdhën në mendje, e para mu kujtua Franco Zeffirelli dhe e dyta në Egjiptin e Lashtë macet kanë qenë perëndi dhe quhen 'rojet e botës së përtejme' dhe pra, do kishim njerëz në botën e përtejme?!