E ardhmja e Igli Tares te Lazio? Claudio Lotito merr vendimin
Puna e Igli Tares si drejtor sportiv i Lazios ndoshta nuk ka shumë vend për koment. Afrimet e suksesshme, shitjet e bujshme dhe çmimet e shumta të fituara flasin vetë për punën e bërë në kryeqytetin italian nga ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare. Kjo gjë nuk ka kaluar pa u vënë re dhe së fundmi Tare ka pasur oferta nga Tottenham dhe Juventus për t’i dhënë atij rolin e drejtorit sportiv.
Dy vitet e fundit kanë qenë disi të komplikuara për Igli Taren. Përplasjet e shpeshta me trajnerin aktual të Lazios, Maurizio Sarri e kanë vënë jo pak herë në pikëpytje postin e legjendës shqiptare. Në Itali është raportuar se ky mund të jetë sezoni u fundit që Tare qëndron në krye të merkatos së Lazios, por shanset që ai të qëndrojë në kryeqytet janë rritur ndjeshëm.
Tuttomercatoweb bën me dije se Presidenti i Lazios, Claudio Lotito po punon që të bindë Igli Taren të rinovojë kontratën e tij. Palët kanë pasur një takim kokë më kokë ku Tares i është ofruar një kontratë e re e cila do ta mbajë lidhur me Lazion të paktën edhe për tre sezone të tjera. Palët janë ende në diskutime, por në Itali janë të bindur se mes Tares dhe Lotitos do të gjendet gjuha e përbashkët që ish-sulmuesi i Kombëtares të vazhdojë i qetë punën me Lazion