SYRI TV/ ‘Më dërgoi Artan Lame për 40 mijë euro': Burg tri të rinjve, mashtronin me emrin e zyrtarit
Në emër të drejtorit të Kadastrës, Artan Lames, tre të rinj tentuan të mashtronin menaxherin e një kazinoje në Tiranë për të marrë 40 mijë euro. Ergys Ahmetaj, Andi Basha dhe Gëzim Kusi u lanë në burg nga Gjykata e Posaçme. Në dosjen hetimore, zbardhen detaje nga plani i të rinjve dhe rolet përkatëse.
Nga SYRI TV
Gjykata e Posaçme ka vendosur masën arrest me burg pa afat, Ergys Ahmetajn, ndërsa me afat 30 ditor për dy të arrestuarit e tjerë, Andi Basha e Gëzim Kusi. Ata akuzohen për mashtrim në bashkëpunim të mbetur në tentativë, të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Në dosjen hetimore që SYRI TV disponon, thuhet se arrestimi ka ardhur pas kallëzimit të shtetasit Erald Çaushi.
Ai pretendon se menaxhon një kazino në Tiranë, teksa sqaron se njëri nga të pandehurit është prezantuar si Andi Basha. Ky i fundit i ka thënë se do shkonte ta takonte për porosinë e Tanit për 40 mijë euro, dhe bëhet fjalë për emrin e shefit të Kadastrës Artan Lamen.
Çaushi ka nisur të dyshojë duke i kërkuar të shkojë në zyrë për të marrë paratë si dhe duke marrë shkas nga ngjarjet që kanë ndodhur më parë të raportuara në media, thotë ai para hetuesve, ka vendosur të lajmërojë policinë me dyshimet se po e mashtronin.
Gjatë kohës që qëndronte me Bashën, Çaushi ka vërejtur bisedat që po fshinte i pandehuri në aplikacionin "SnapChat". Përmbajtja e tyre ishte "fol i qetë, thuaj se më ka dërguar Artani për porosinë".
Dyshohet se Ergys Ahmetaj të jetë organizatori i mashtrimit, teksa Gëzim Kusi e kishte refuzuar kërkesën e tij për ta marrë ai porosinë. Kusi thotë para hetuesve se i kishte propozuar Ahmetajt emrin e Andi Bashës që e kishte shok, dhe më pas kanë kontaktuar me njëri-tjetrin duke vënë në jetë planin.
Të rinjtë u arrestuan të dielën teksa Policia sekuestroi 89 400 euro dhe sende të tjera me vlerë për hetimin.