SYRI TV/ Skandali 'McGonigal', Rama fshihet sërish pas forumit të grave në Dubai
Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Dubait për të marrë pjesë në një forum për gratë në qeverisje. Pjesëmarrja e kryeministrit në këtë forum, ku ai ishte i vetmi kryetar shtetit mes qindra zyrtareve femra, vjen në një kohë kur qytetarët dhe opozita, prej javësh kërkojnë shpjegime, mbi përfshirjen e tij në skandalin e ish-zyrtarit të lartë të FBI.
Nga SYRI TV
Në një kohë kur qytetarët dhe opozita presin përgjigje nga kryeministri Edi Rama për përfshirjen e tij në skandalin e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, kryeministri Edi Rama ka udhëtuar në Dubai për të marrë pjesë në një forum mbi rolin e grave në qeverisje.
Ndërsa mediet e huaja prestigjoze vazhdojnë të publikojnë çdo ditë fakte mbi lidhjet e kryeministrit me ish-shefin e Kundërzbulimit të FBI-së, Rama udhëtoi drejt Dubait, ku foli mbi vendimin e tij për të ndërtuar një kabinet, që ka në përbërje 70% të ministrave, gra.
Kryeministri Edi Rama është zyrtari më i lartë dhe i vetmi mashkull që merr pjesë në Forumin Arab dhe Ndërkombëtar për Gratë në Qeverisje, ndërsa në panel, së bashku me të, janë të ftuar edhe zyrtare, të gjitha femra, nga Uganda, Maldives, Gjeorgjia dhe Egjipti.
Rama tha: “Dua ta them shumë drejtpërdrejtë se nuk ka qenë fjala për një model, ka qenë fjala për një nevojë për t’i realizuar gjërat, për të kryer gjërat. Kam qenë dëshmitar me përvojën time i asaj çka Margaret Thatcher ka thënë dhe që është e vërtete se “nëse dëshiron të flasësh, gjej burra dhe bëje. Nëqoftëse do t’i realizosh gjërat, gjej gratë dhe bëje”. Mund ta dëshmoj sipas përvojës sime se shanset me gratë për t’i realizuar gjërat, janë më të larta se sa me burrat. Nuk pretendoj që ky është një model për të gjithë, thjesht flas për Shqipërinë.”
Prej 23 janarit, kur autoritetet amerikane njoftuan arrestimin e ish-agjentit të FBI-së, Çarles McGonigal dhe u zbuluan lidhjet e tij të dyshimta me Edi Ramën, kryeministri shqiptar ka bërë gjithçka që t’i shmanget përballjes me publikun dhe opozitën e djathtë.
Kur u publikua skandali, Rama u zhduk katër ditë, duke deklaruar më pas se ishte i sëmurë me grip. Por, vetëm dy ditë më pas, ai u shfaq në malet me borë të veriut të Shqipërisë, duke forcuar dyshimet se sëmundja e tij ishte thjesht një mënyrë për të mos dhënë llogari publike për skandalin McGonigal.
Rama iu shmang sërish përballjes me opozitën në Parlament, duke i deleguar Ministres së Shtetit, Elisa Spiropalit, detyrën për t’iu përgjigjur një interpelance për raportet e kryeministrit me agjentin e arrestuar të FBI-së.
Tashmë, Rama ka fluturuar drejt Dubait, në një kohë që opozita parlamentare ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për të verifikuar kontaktet dhe raportet e tij me McGonigal.