Persona të armatosur sulmojnë spitalin e Aja, foshnjës që lindi në rrënojat e tërmetit në Siri

Persona të armatosur sulmuan një spital në veri të Sirisë, ku një vajzë po merr kujdes mjekësor pasi lindi nën rrënojat e shtëpisë së saj të shkatërruar nga tërmeti, tha një zyrtar spitali të martën, duke shtuar se sulmuesit rrahën drejtorin e klinikës.

Zyrtari mohoi raportet në mediat sociale që pretendonin se sulmi i së hënës mbrëma ishte një përpjekje për të rrëmbyer foshnjën, të quajtur Aya - arabisht për "një shenjë nga Zoti".

Aya ndodhet në spital që disa orë pas tërmetit të 6 shkurtit që goditi Turqinë dhe Sirinë. Nëna, babai dhe katër motrat e saj vdiqën në atë katastrofë. Aya është ndjekur nga afër që nga lindja e saj dhe njerëz nga e gjithë bota i janë ofruar për ndihmë.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjeve, tha se drejtori i spitalit kishte dyshuar se një infermier që po fotografonte Aya-n po planifikonte ta rrëmbente atë dhe e përzuri nga spitali.

Infermieri u kthye disa orë më vonë i shoqëruar nga persona të armatosur që rrahën drejtorin. Ka qenë gruaja e drejtorit, e cila e ka ushqyer me gji Aya-n.

Me të mbërritur në spital, personat e armatosur u thanë oficerëve të policisë vendore që mbronin foshnjen se po ndiqnin drejtorin që pushoi nga puna shokun e tyre. Ata thanë se nuk ishin të interesuar për Aya-n, sipas zyrtarit.

Disa njerëz ishin shfaqur duke gënjyer se ishin të afërm të Aya-s, çka nxiti policinë ta ruante atë.

Nëna e Aya-s vdiq pasi e lindi atë si pasojë e tërmetit 7.8 ballë që goditi Turqinë dhe Sirinë. Në tërmet u vranë edhe babai i saj dhe katër vëllezërit e motrat.

Aya mund të jetë në gjendje të largohet nga spitali sa më shpejt të martën ose të mërkurën, sipas xhaxhait të saj, Saleh al-Badran.

Ai tha se halla e foshnjës, e cila së fundmi lindi dhe i mbijetoi tërmetit, do ta rrisë atë.

Punonjësit e shpëtimit në qytetin verior të Sirisë, Jinderis, e zbuluan foshnjën me flokë të errët më shumë se 10 orë pas goditjes së tërmetit, kur po gërmonin nëpër rrënojat e ndërtesës pesëkatëshe ku jetonin prindërit e saj.

E varrosur nën beton, foshnja ishte ende e lidhur me kordonin e kërthizës me nënën e saj, Afraa Abu Hadiya. Foshnja u dërgua me urgjencë në spitalin në Afrin aty pranë, ku po mbahet nën kujdes.

Tërmeti shkatërrues i ndjekur nga një seri lëkundjesh që goditën Turqinë juglindore dhe Sirinë veriore i shndërroi shumë nga qytetet dhe fshatrat e banuara, në miliona copa betoni dhe metali. Më shumë se 35,000 njerëz u vranë, një numër që pritet të rritet ndjeshëm pasi ekipet e kërkimit gjejnë më shumë trupa.