SYRI TV/ Vendosi eksplozivin në hotel, kapet Sotir Çabiri, djali i njërit prej bashkëpronarëve
Sotir Çabiri është vënë në prangat e policisë së Sarandës sepse dyshohet se është autori shembjes me shpërthim të hotelit “Bizant” në Sarandë. Sipas policisë shkak për këtë dyshohet të jetë konflikti i pronësisë mes babait të autorit dhe një shtetasi grek. Ky i fundit kishte fituar gjyqin duke përfituar 90 për qind të pronës.
Nga SYRI TV
Djali i njërit prej bashkëpronarëve të hotel “Bizantit” në Sarandë është vënë në pranga nga Policia sepse dyshohet si autor i vendosjes së eksplozivit në godinën e hotelit që u shemb nga shpërthimi.
Sotir Çabiri, 36 vjeç është djali i Spiro Çabirit.
Në njoftimin e Policisë bëhet me dije se 36-vjeçari është personi që ka instaluar të paktën 30 kilogramë dinamit në hotelin më të vjetër në Sarandë si dhe e shpërtheu lëndën eksplozive duke tmerruar të gjithë qytetin bregdetar.
Arsyeja e këtij shpërthimi mësohet se janë bërë konfliktet që ortakët kanë pasur me njëri-tjetrin.
Më konkretisht, vendimi i gjykatës për t'i dhënë grekut Dhimitër Evangjeliu 90% të pronës dhe jo babait të tij Spiro Çabirit, ka bërë që ai t’i vendosë lëndë eksplozive e ta shembë atë.
Në njoftim, Policia bën me dije gjithashtu se janë sekuestruar veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori, gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje.
Hotel “Bizanti” në Sarandë u shemb me shpërthimin e 30 kilogramëve lëndë plasëse në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Spiro Çabiri dhe shtetasi grek Dhimitër Evangjeliu janë në gjyq prej vitit 2002 për pronësinë e hotelit.
Sipas vendimit të gjykatës 90% të hotelit i ishte dhënë Dhimitër Evangjeliut dhe nga 5% dy ortakëve të tjerë, Spiro Çabirit e Vangjel Shtukës (që ka ndërruar jetë). Si pasojë e shpërthimit nuk pati të lënduar, por dhjetëra banesa e biznese u dëmtuan.
Gazetar: M.Zenati
Pamje: Syri TV
Montazhi: L.Kotri