Rusia hedh poshtë akuzat e presidentes moldave se po përpiqet të destabilizojë vendin

Ministria e Jashtme e Rusisë hodhi poshtë të martën akuzat e Presidentes moldave Maia Sandu se Moska po komploton për të destabilizuar vendin .

Në një deklaratë në Telegram , zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se "pretendime të tilla janë plotësisht të pabaza dhe të pavërtetuara".

Sandu të hënën akuzoi Rusinë se planifikon të përdorë "diversantë" për të destabilizuar ish-republikën sovjetike, duke i bërë jehonë një pretendimi të bërë ditë më parë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. 

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse të martën akuzoi gjithashtu Kievin se po përpiqet të tërheqë Moldavinë në konfrontim me Rusinë.

“Ne hedhim poshtë me vendosmëri insinuatat për dëshirën e pretenduar të Rusisë për të 'minuar' situatën në Republikën e Moldavisë," tha Zakharova.

Të enjten, Zelensky tha se inteligjenca ukrainase kishte përgjuar një plan rus për të destabilizuar Moldavinë.

Të nesërmen, kryeministrja e Moldavisë dhe kabineti i saj dhanë dorëheqjen – vetëm disa orë pasi një raketë ruse kaloi territorin e vendit. 

Ministria e Jashtme e Moldavisë thirri ambasadorin rus për atë që tha se ishte një "shkelje e papranueshme e hapësirës sonë ajrore nga një raketë ruse".